Fakultetet, Tafaj: Brenda muajit një kompani e huaj do nisë akreditimin
“Së shpejti, një kompani e huaj fillon punën për të zhvilluar standardet, mbi bazën e të cilave, do të bëhet klasifikimi i universiteteve dhe i diplomave shqiptare për nga cilësia e tyre”. Këtë deklaratë bëri dje Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj. Kontrata me agjencinë pritet të lidhet brenda këtij muaji, në mënyrë që të nisë procesi i akreditimit. Të gjitha shkollat e larta do të renditen sipas cilësisë së diplomave që ofrojnë. Nga sa ka bërë me dije kreu i MASH, nuk do të ketë penalizime për universitetet që do klasifikohen si të “dobët” ose shumë “të dobët”, pas matjes së standardeve. “Do të jenë vetë studentët ata që do të përzgjedhin shkollat e larta, por renditja për cilësinë do të jetë krejtësisht transparente, në mënyrë që të bëhet zgjedhja e duhur sipas kërkesave që vetë studentët kanë”, është shprehur Tafaj. Aktualisht në vendin tonë operojnë 11 institucione të larta publike dhe 33 private në të gjithë vendin. Në një kohë kur numri i këtyre të fundit rritet ndjeshëm nga vitit në vit, akreditimi që mundëson matjen e cilësisë është kthyer në domosdoshmëri. Ministri Tafaj ka bërë me dije gjithashtu disa ditë më parë se procesi do të përmbyllet brenda shtatorit të vitit që vjen. “Në këtë mënyrë do të dimë se në ç’nivele janë shkollat tona të larta, publike dhe private”, është shprehur ai. Ndërkaq vitin që vjen do të ketë një tjetër rritje pagash për mësuesit e pedagogët. Këtë premtim bëri ministri, ndonëse nuk dha detaje se sa do të jetë kjo shtesë. Gjithashtu ai vuri theksin në reformat e mëtejshme në arsimin parauniversitar, si dhe objektivin për të nxitur zhvillimin e arsimit të lartë privat. “Objektivi kryesor është rritja e buxhetit, veçanërisht për pagat e mësuesve dhe pedagogëve, si dhe për investimet në infrastrukturë”, tha Tafaj gjatë konferencës së 7-të, në kuadër të projektit “Cilësi dhe barazim në arsim”. Sipas tij, në arsimin parauniversitar do të merren të gjitha masat për të mos pasur më braktisje të arsimit të detyruar. Në një kohë kur aktualisht vetëm 50% e fëmijëve frekuentojnë kopshtet, Tafaj u shpreh se për katër vitet e ardhshme, çdo fëmijë 5-vjeçar do të nisë pikërisht aty edukimin. “Decentralizimi i sistemit arsimor do të arrihet në bashkëpunim me pushtetin lokal, komunitetin dhe biznesin. Bursat dhe grantet për studentët, nëpërmjet Fondit të Ekselencës, do të jenë më të shumta në mënyrë që në fund të këtij mandati katërvjeçar Shqipëria të ketë 150 mijë studentë”, tha Tafaj. Duke u ndalur në arsimin e lartë privat, ministri Tafaj theksoi se do të ndiqet një politikë nxitëse dhe inkurajuese për zhvillimin e shpejtë të arsimit të lartë privat cilësor. Projekti ‘Cilësi dhe Barazi në Arsim”, për rezultatet e së cilit u organizua konferenca e djeshme, mbështet tashmë që nga viti 2006 e deri në 2010 zbatimin e prioriteteve të Strategjisë Kombëtare të Arsimit dhe është një bashkëfinancim i Qeverisë Shqiptare, Bankës Botërore, Bankës Evropiane për Investime dhe i Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës me vlerë 75 milionë USD.