OSSH, gati shkurtimi i 400 punonjësve. Sindikata kundër
Fabiola Çela
Rreth 400 punonjësve do t’u duhet të largohen nga vendi i tyre i punës. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) ka vendosur të pushojë nga puna 400 punonjës brenda datës 5 nëntor. Përmes një letre drejtuar Ministrit të Energjetikës, Dritan Prifti, dhe atij të Punës, Spiro Ksera, si dhe Avokatit të Popullit, sindikata ka kërkuar ndihmën e qeverisë. Ndërkohë edhe nga vetë OSSH-ë është pranuar se kanë në plan ristrukturimin e kompanisë.
Letra
“Sindikata e Pavarur Elektroenergjetike Shqiptare, ku aderojnë dhe një numër i konsiderueshëm i punonjësve aktualë të OSSH-sha, po ju drejtohet me një letër të hapur ku në të shprehet shqetësimi mbi një veprim arbitrar dhe jo transparent, siç është një pushim masiv nga puna, mbi 400-punonjës brenda datës 5 nëntor, komunikuar në mënyrë verbale gjatë mbledhjes me Drejtorët e Zonave të OSSH, të datës 29 tetor, të urdhëruar nga pronari i ri i OSSH-se CEZ a.s”, thuhet në letrën dërguar Ministrit Dritan Prifit, Spiro Ksera dhe avokatit Ermir Dobjani. Sipas sindikatës, ky urdhër bie ndesh me afatet kohore që parashikon Kodi Punës. Por problemet e punonjësve me pronarët e rinj të OSSH-së nuk përfundojnë me kaq. Në letrën e sindikatës thuhet se që prej datës 7 shtator, OSSH-sha nuk disponon një Kontratë Kolektive siç e parashikon Kodi i Punës. “Sindikata jonë i është drejtuar disa herë punëdhënësit të ri, për të nënshkruar kontratën e re kolektive, në respektim të Kodit të Punës dhe të drejtës sindikaliste të parashikuar nga ligji”, thuhet në letër. Por pavarësisht kërkesës së tyre, nuk është arritur në nënshkrimin e një kontrate të re kolektive, por ka kërkuar shtyrjen e kontratës së vjetër kolektive. Sipas sindikatës, kjo kontratë nuk mund të shtyhet për disa arsye. Së pari, ish-kontrata e përfunduar nuk përmban asnjë klauzole që iu jep të drejtën palëve për ta shtyrë kontratën për një afat të caktuar apo të pacaktuar. Dhe së dyti në analizë të palëve nënshkruese të kësaj kontrate, kompania CEZ nuk legjitimohet si palë në ish-kontratën e sipërpërmendur, pasi në këtë kontratë të vjetër palët legjitime janë të shprehura qartë KESH në cilësinë e punëdhënësit dhe sindikatat në cilësinë e punëmarrësit.