E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dibër, lidhi vajzat me zinxhir, i mohohet pensioni 70-vjeçarit

 

PESHKOPI - Policia lokale e Dibrës ka “kopsitur” dosjen në ngarkim të Hajredin Keshit për “heqje të paligjshme të lirisë”, pasi ai ka lidhur për një kohë të gjatë me zinxhirë dy bijat e tij, Thëllënxa e Fidane Keshi, 47 e 38 vjeçe. Babai i vajzave tha fillimisht se vajzat e tij mbaheshin të lidhura prej më shumë se 20 vitesh, ndërkaq policia dhe prokuroria e rrethit nisën hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të pazakontë. Hajredin Keshi deklaroi për mediat se vajzat i mbante të lidhura qysh para vitit 1990, mirëpo kjo besohej lehtë nga strukturat e shtetit. Plaku nga Bllata e Poshtme këmbënguli se vajzat ishin agresive, se po të mos i lidhje iknin nga shtëpia, dhunonin njerëz ose mund të mbyteshin në lumë. Ajo që babai i vajzave skizofrene kërkonte me sa duket u realizua. Me ndërhyrjen e policisë dhe drejtuesve të shëndetësisë u realizua dërgimi i dy motrave në spitalin psikiatrik të Shkodrës. Njerëz shumë të afërm të familjes Keshi i kanë thënë oficerëve të Policisë Gjyqësore se pohimet e Hajredinit nuk janë plotësisht të sakta, pasi sipas tyre deri në vitin 1999 vajzave u ka shërbyer e ëma. “Deri në moshën 20-vjeçare dy motrat kanë qenë normale dhe vajza mjaft të mira. Futja në burg e të atit, vdekja e nënës si dhe varfëria e madhe ndikoi në gjendjen psikike të Thëllënxës dhe Fidanes”, sqaruan të afërmit e familjes Keshi. Dje Hajredin Keshi i është drejtuar komunës Maqellarë dhe ka kërkuar pensionin e invaliditetit të dy vajzave, që tashmë janë sistemuar në Shkodër. Përgjegjësi i zyrës së ndihmës ekonomike, I.Osmani, i cili mbulon edhe të sëmurët, e ka sqaruar Hajredin Keshin se edhe muajin tetor ai mund ta përfitojë ndihmën e shtetit, pas dërgimit të vajzave në spital ai nuk e përfiton pensionin. 70-vjeçari është rikthyer në shtëpinë e tij në Bllatë të Poshtme, mes skamjes e mjerimit, ndërkaq thotë se nuk ka as para dhe as fuqi të shkojë në Shkodër për të parë vajzat e sëmura. I pyetur në lidhje me fillimin e një procesi penal ndaj tij, Hajredin Keshi shprehet se nuk është në dijeni për këtë, por thotë se para pak ditësh inspektori i zonës i ka kërkuar të mos largohet nga fshati pa lajmëruar policinë.       h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›