E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbyset autobusi me 50 pasagjerë

 

FIER/ MAJLINDA RAMA

Tmerri dhe paniku kanë shoqëruar në orët e para të mëngjesit të djeshëm shumë udhëtarë që ishin nisur nga Tirana për në Athinë. Në segmentin nacional Lushnjë-Fier, rreth 50 pasagjerë kanë përjetuar momente të frikshme, kur autobusi i tyre u përmbys papritur. Gjithçka ndodhi pasi autobusi humbi drejtimin, duke u përmbysur në anë të rrugës, pak sekonda nga përplasja me një automjet të tonazhit të rëndë. Aksidenti ndodhi në vendin e quajtur kthesa e Mbrostarit, në fshatin me të njëjtin emër. Sipas policisë, konfirmohet se në orën 06:30 të mëngjesit të së martës, autobusi kishte qenë duke përshkuar aksin rrugor Lushnjë-Fier, kur një trajler në përpjekje për të marrë kthesën ka rrëshqitur për shkak të lagështirës, duke u përplasur me autobusin. “Një autobus me rreth 50 pasagjerë është përmbysur pas përplasjes me një maune, duke shkaktuar plagosjen e 5 pasagjerëve. Autobusi ishte i linjës Tiranë-Athinë me targa TR 7214 L”, kanë pohuar burimet e policisë. Ndërkohë vetë pasagjerët kanë treguar se kanë përjetuar momente tmerri. “Mendova se vdiqëm. Autobusi u përmbys duke bërë salto vetëm një herë, pasi pemët e shumta në këtë rrugë nuk e lejuan që ai të vazhdonte më tej. Në të kundërt sot do të ishin hapur 50 varre. Kemi shpëtuar vetëm nga fati. Kur u përplasëm me trajlerin e pamë veten keq. Copa të mëdha xhami na mbuluan, ndërsa brenda gjithçka u alarmua edhe më shumë nga të bërtiturat e grave dhe fëmijëve. Nuk e dimë. Me të vërtetë e pamë vdekjen me sy”, ka treguar Xhevdet Naska, një prej pasagjerëve. Automjeti trajler me targa DR 5936 C pasi përplasi autobusin ka frenuar vetëm pak sekonda më pas, ndërsa drejtuesi i tij, emri i të cilit ende nuk bëhet i ditur, ka ndihmuar në shoqërimin e të plagosurve për në spital. Burimet nga vendi i ngjarjes tregojnë se pas mbërritjes së policisë, dalja e pasagjerëve nga autobusi ka qenë më e lehtë. Janë hapur dritaret e tij për të nxjerrë qytetarët, pasi dera e autobusit ishte e deformuar krejtësisht dhe e pamundur të hapej. Pesë të plagosurit u mjekuan në spitalin e Fierit, ndërsa sipas bluzave të bardha asnjëri nuk paraqiti plagë serioze. Policia e Fierit ka punuar për të zbardhur rrethanat e aksidentit, edhe pse për ta konkludohet se lagështira në rrugë ka provokuar rrëshqitjen e më pas përplasjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›