E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fakultetet ngrenë komisionet e përzgjedhjes

15/12/2008  Mbyllen regjistrimet

Janë mbyllur gjatë ditës së djeshme regjistrimet për aplikantët që duan të ndjekin studimet e larta gjatë këtij viti akademik, por nëpërmjet sistemit part-time. Sipas evidencave të bëra nga fakultetet, pohohet se pjesa dërrmuese e degëve i kanë tejkaluar kuotat e pranimeve të miratuara nga Qeveria për këtë vit. Çka do të thotë se këto të fundit duke filluar nga dita e sotme do të ngrenë komisione të posaçme që do të merren me përzgjedhjen e kandidatëve që do të shpallen përfundimisht fitues në këto degë. Ndërkohë që është përcaktuar se kriteri seleksionues për të gjitha fakultetet ku janë kryer më shumë regjistrime se sa kuota të përcaktuar do të jetë mesatarja e shkollës së mesme. Procedurë kjo që do të zbatohet nga komisionet e posaçme që do të kalojnë në sitë një më një të gjitha dosjet e dokumenteve të dorëzuara nga aplikantët. Brenda dy apo tre ditëve do të bëhet dhe shpallja e listës së studentëve fitues për ciklin part-time 2008-2009 sipas programeve përkatëse. Këta të fundit do të kenë sërish edhe tre ditë të tjera kohë për të kryer procedurën e regjistrimit përfundimtar ku do të depozitojnë dhe taksën vjetore të shkollës. Më pas ata do të fillojnë procesin mësimor ashtu si vitet e dyta dhe të treta. Për këtë vit akademik Qeveria ka miratuar për të gjitha fakultetet publike të vendit rreth 4845 kuota pranimi për studimet part-time, ato në distancë si dhe për transferim studimesh. Degët që kanë pasur fluksin më të lartë të regjistrimeve kanë qenë Psikologjia, degët e Shkencave Sociale, Fakultetit të Drejtësisë, Ekonomiku, por kërkesa të shumta janë paraqitur dhe pranë Universitetit Bujqësor. Çelja e këtyre studimeve pas mungesës njëvjeçare ka bërë që të shtohen dhe kërkesat, por për shkak të mungesës së kapaciteteve kuota e pranimeve janë të kufizuara.

Përzgjedhja

Nis sot përzgjedhja e kandidatëve fitues që do të mund të ndjekin studimet e larta në ciklin e part-time gjatë këtij viti akademik. Pranë çdo fakulteti ku janë kaluar kuotat e pranimeve të përcaktuara nga Qeveria do të funksionojnë komisionet e përzgjedhjes së fituesve

Fituesit

Ky komision do të kalojë në rishikim dosjet e dokumenteve të dorëzuara nga aplikantët gjatë regjistrimeve. Ndërmjet tyre do të përzgjidhen të gjithë ata kandidatë, të cilët kanë mesataren e diplomës së shkollës së mesme më të lartë deri sa të plotësohen kuotat.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›