Rriten taksat për familjet në kryeqytet
Autori i Lajmit: Entela Duraj
Rriten tarifat vendore për çdo familje në kryeqytet. Tarifa e pastrimit të qytetit është rritur me 500 lekë të reja, ndërsa ajo e gjelbërimit me 100 lekë. Krahasuar me një vit më parë tarifa e pastrimit ishte 4500 dhe u bë 5000 lekë, ndërsa tarifa e gjelbërimit ishte 400 dhe u bë 500 lekë. E thënë ndryshe një familje në Tiranë do të paguajë për të dy tarifat një shumë e cila arrin në 5500 lekë. Tarifat e reja janë afishuar pranë minibashkive në sportelet e së cilës paguhen. Por një familje paguan edhe taksën e pasurisë, bëhet fjalë për taksën mbi sipërfaqen e banesës, e cila për këtë vit ka mbetur e pandryshuar. Kjo është një nga taksat që vendorët kanë dështuar në mbledhjen e saj. E thënë me fjalë të tjera shuma totale që i duhet të paguajë një familje, në Tiranë, minimalisht është 7 mijë lekë të reja në vit. Pra edhe këtë viti të ri, sikur të mos mjaftonte kriza ekonomike mbarëbotërore, qytetarëve të Tiranës, kategoria e familjarëve, por edhe subjektet e ndryshme private dhe tregtare, do të paguajnë për shërbimet që ofron Bashkia e Tiranës më shumë para. Paketa fiskale që është miratuar më 2008 parashikonte ndryshimet e tarifave për disa vjet. Kështu, në 2008, për pastrimin qytetarët paguanin 3600 lekë, në 2009, 4500 lekë, ndërsa në 2010 do të paguajnë 5000 lekë. Normalisht, taksat këtë vit janë ndryshuar edhe për të gjitha llojet e subjekteve tregtare, për tavolinat e bareve që zënë hapësirat publike etj. Por, për disa kategori familjarësh do të ketë lehtësira dhe si rezultat do të paguajnë më pak. Këtu përfshihen familjet në nevojë, të sëmurët para dhe tetraplegjikë, familje që janë me asistencë, pensionistët e vetmuar. Për taksën e ndërtesës ata do të paguajnë, për ndërtesat para vitit 1993, 10.5 lekë/m2, ndërsa për ndërtesat pas 1993, 21 lekë/m2. Një problem më vete është edhe mbledhja e taksave nga vendorët pasi shumë qytetarë nuk janë të rregullt me shlyerjen e tyre. Kësisoj rritja e taksave vit pas viti është parë edhe si një diskriminim për ata qytetarë që paguajnë gjithmonë taksat, pasi pjesa tjetër nuk e ndien rritjen e tyre meqë nuk paguan asnjëherë. Kjo gjë duket shumë qartë edhe në evidencat e Bashkisë së Tiranës për mbledhjen e tyre. Sipas statistikave, në dy vitet e fundit janë mbledhur vetëm 25 për qind e taksave, ku nga 11 njësitë bashkiake, numrin më të madh të familjeve që kanë paguar taksat e ka njësia nr. 4, me rreth 11 mijë familje, ndërsa numrin më të vogël e ka njësia nr. 10, me rreth 500 familje. Për të realizuar një përqindje më të madhe të mbledhjes së taksave vendore, minibashkitë përdorën certifikatat si një strategji për ndërgjegjësimin e qytetarëve. Nëse nuk paguan taksat nuk mund të kryesh asnjë shërbim në sektorin e gjendjes civile.
Ky lajm është publikuar: 14/02/2010