Fakulteti i Drejtësisë nis regjistrimet në sistemin part-time
Rektorati i Universitetit të Tiranës dhe dekanati i Fakultetit të Drejtësisë kanë shpallur 60 fitues të rinj në sistemin part-time, në këtë degë (drejtësi). Shpallja e fituesve të rinj vjen pas çregjistrimit të 60 studentëve, të cilët kishin shkelur Ligjin e Arsimit të Lartë, duke zhvilluar studime paralele në Universitetin e Tiranës, Skënder Kaçupi, Dekan i Fakultetit të Drejtësisë, tha për shtyp se sot përfundoi faza e parë e regjistrimeve në sistemin me kohë të pjesshme (part-time).
Studentët duhet të paraqiten deri në orën 16:00 në sekretariatin e fakultetit për t`u regjistruar. Vendet e mbetura bosh pas fazës së parë të regjistrimeve do të plotësohen me kandidatë të tjerë, që nuk kanë fituar dhe vijnë menjëherë pas fituesit të fundit, shpjegoi Kaçupi, sipas të cilit, faza e dytë e regjistrimeve fillon ditën e martë më 24 shkurt, deri në ditën e enjte më 26 shkurt, nga ora 08:00 deri në orën 16:00. Kandidatët duhet të paraqiten personalisht me një mjet identifikimi (pasaportë, certifikatë, etj.) për t`u regjistruar. Fituesit e rinj pritet që të shpallen gjatë ditëve në vazhdim. Pak ditë më parë Universiteti i Tiranës identifikoi rreth 60 studentë, të cilët kishin probleme në dokumentacionin e tyre të regjistrimit, madje disa prej tyre rezultuan të regjistruar edhe në fakultete të tjera, duke shkelur ligjin e Arsimit të Lartë. Nisur nga ky rast Rektorati i Universitetit të Tiranës, po heton edhe fakultetet e tjera për të identifikuar nëse është shkelur udhëzimi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për sistemin e studimeve me kohë të pjesshme.