Filumena e Mingës dhuron emocione në skenë
Vjen sërish suksesshëm regjisori Albert Minga me premierën e tij Filumena Marturano. Premiera e parë ë këtij viti në skenë e Teatrit Kombëtar është duartrokitur fuqishëm nga publiku në sallë. Loja e shkëlqyer e aktorëve por dhe vetë mesazhi i veprës kanë bërë që kjo shfaqje ti shtohet suksesit të regjisorit Albert Minga. Për gati dy orë aktorët e Teatrit Kombëtar sollën dramën e gruas napoletane të përjetësuar nga pena e dramaturgut Edoardo de Filipo.
Në rolin e Filomenës aktorja e njohur Yllka Mujo sjell në skenë një grua të pamposhtur, gruaja që nuk di të qajë sepse ka njohur vetëm dhimbjen dhe brengën për hir të dashurisë së fëmijëve arrin të bëjë sakrifica të pamenduara. Nën regjinë Albert Minges vepra duket sikur rrjedh vetë në lojën e aktorëve të përzgjedhur për këtë pjesë si Bujar Asqeriu që vjen si Domeniko Sorianos, Tinka Kurti në rolin Rozalias etj. Drama e ngjashme me shume të tjera në të gjitha qytetet dhe kombet zhvillohet në qytetin e Napolit ku një grua e popullit, një ish-prostitute, Filomena Marturano, jeton prej 25 vitesh si grua por pa qenë e tillë në shtëpinë e Domeniko Sorianos, një borgjez i kamur. Ka rritur në sekret të plotë tre fëmijë me tre burra të ndryshëm. Pas një bashkëjetese të gjatë ajo e detyron atë të martohet zyrtarisht me të. Për një kohë të gjatë kishte qenë e detyruar të heshtë për ekzistencën e tyre dhe i jep edhe një goditje tjetër Domenikos; njeri prej tre djemve ështe i biri i Sorianos. Filomena nuk i tregon se cili është sepse për një nënë fëmijët janë njëlloj. Filomena Marturano e shkruar në vitin 1944 vijon të mbetet kryevepra e De Filipos dhe regjisorët me emër e kanë realizuar atë në skenat më të njohura të botës. Për regjisorin Minga realiteti i sotëm shqiptar, fatkeqësisht, është i mbushur me histori Filumenash. Ato mbajnë të ndrydhura thellë në shpirtin e tyre drama edhe më të fuqishme se Filomena jonë. Pikërisht këtu do të insistojë edhe vepra, të demaskojë këtë realitet poshtërues ndaj femrës dhe të sensibilizojë shoqërinë tonë. Sipas regjisorit, në shfaqje ka gjetje origjinale në drejtim të zgjidhjes figurative të spektaklit, siç është interpretimi aktorial dhe bashkëpunimi me skenografin Agim Zajmi. E veçanta e skenografisë është se për të parën herë, në teknikën e ndërtimit është përdorur afresku, që në dramacitetin e veprës, krijon një mjedis poetik që shpërfaq konfliktet e mëdha mes personazheve dhe realitetit jetësor, u shpreh mes të tjerave Minga. Filumena në veprën e Eduardo de Filippos përfaqëson femrën e guximshme, e plotë dashuri njerëzore, që ka vuajtur shumë në jetë, ndonëse më shumë ka falur dashuri se sa ka marrë prej saj. Drama e shkruar në vitin 1944 nga Eduardo de Filippo, do të realizohet me skenografi të mjeshtrit të skenës, Agim Zajmi.