Përdorte emër të rremë, pranga shefit të Task-Forcës
Prezantohej si shef i njësisë Task-Forcë të tatimeve, përfundon në pranga mashtruesi nga Rrethi i Librazhdit. Burime zyrtare nga policia e Elbasanit bëjnë të ditur se mbrëmjen vonë të së shtunës është bërë arrestimi i një mashtruesi 40-vjeçar, që nën identitet të rremë prezantohej si drejtuesi i njësisë Taskë-Forcë të tatimeve në kryeqytet. Sipas burimeve zyrtare të policisë, bëhet e ditur se rreth orës 23: 10 të së shtunës u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i 40-vjeçarit Bashkim Alla, lindur e banues në fshatin Zgosht të Librazhdit. Të njëjtat burime saktësojnë se 40-vjeçari, duke u prezantuar si shefi i njësisë së Taskë-Forcës në Tiranë, u merrte personave të ndryshëm nga 20 mijë lekë të reja ose 200 euro, me premtimin se do të ndërhynte për zgjidhjen e “halleve” me institucione të ndryshme shtetërore, por kryesisht me ato të sektorit të tatimeve apo dhe sigurimeve shoqërore që ai “mbulonte”. Ai kishte ndërruar emër dhe mbiemër, e gjatë kësaj kohe ai prezantohej me emrin e rremë Klodian Elezi. Burimet zyrtare të policisë, ndonëse pranojnë se Alla kishte mashtruar jo pak persona duke ia atribuuar vetes këtë detyrë të lartë, japin vetëm “viktimën” e fundit të këtij mashtrimi. Ka qenë një 40-vjeçar nga fshati Katundi i Ri i Komunës së Bradasheshit, ai që ka bërë denoncimin dhe më pas, në bashkëpunim me specialistë të policisë, ka futur në kurth mashtruesin Alla. Sipas të njëjtave burime zyrtare, Alla e ka mashtruar 40-vjeçarin A.H., banues në fshatin Katundi i Ri, për të ndërhyrë për uljen e detyrimeve tatimore që ai duhet të paguante për licencën e taksistit. “Në datën 11 qershor të këtij viti, Bashkim Alla i ka marrë një shumë prej 200 eurosh shtetasit A.H., ndërkohë që një ditë më pas i ka kërkuar edhe 200 euro të tjera për t’i ulur detyrimet tatimore”, thuhet mes të tjerash në njoftimin për mediat nga ana e policisë së Elbasanit. Dyshimi i taksistit është përforcuar kur nga “shefi” i janë kërkuar edhe 200 euro të tjera dhe për këtë qëllim A.H. i ka thënë se do të duhej të priste 2 orë, sepse nuk e kishte gati shumën e kërkuar. Kaq është dashur dhe specialistët e policisë në harkun kohor të “pritjes” së “shefit Elezi” kanë ndaluar në kushtet e flagrancës 40-vjeçarin Alla. Ky i fundit është ndaluar në momentin kur do të merrte pjesën e dytë të parave nga taksisti, në rrugën që nis nga qyteti i Elbasanit për në Kombinatin Metalurgjik. Ndërsa policia po punon për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme. 40-vjeçari Alla akuzohet për kryerjen e veprave penale të “Mashtrimit” dhe “Përvetësim i titullit apo i detyrës shtetërore”. Kujtojmë që një vit më parë, policia e Elbasanit ndaloi një 57-vjeçar nën akuzën e mashtrimit, pasi prezantohej si punonjës ambasade. Ai u kishte marrë shuma të mëdha të hollash disa qytetarëve elbasanas, kundrejt premtimit se do t’i pajiste me vizë shengen.
#