BE, devijon axhenda e ministrave të Jashtëm. Franca mban pezull vizat
Mbledhja e sotme e ministrave të Jashtëm të 27 vendeve të BE-së, përveç axhendës për diskutimin mbi krizën shqiptare, pritet t’i rikthehet edhe çështjes së vizave. Shkak për këtë është bërë qëndrimi i Francës, skepticizmi i së cilës ka pezulluar arritjen e konkluzioneve përfundimtare dhe zbatimin e propozimit të muajit maj nga komisioni. Në korrespondencën e saj, gazetarja e “Top Channel”, Arta Tozaj, citonte dje burime diplomatike në Bruksel, sipas të cilave brenda vetë diplomacisë franceze ka ndarje rreth këtij problemi, çka pasqyrohet edhe mes ministrit Kushner dhe zëvendësit të tij, Pier Lulush. Sipas Tozajt, takimi i sotëm i Luksemburgut vjen pa ndonjë draft të përpunuar për vizat, edhe pse me nismën e presidencës spanjolle pritet të zhvillohet një mbledhje në nivel ambasadorësh, për të kapërcyer problemin në fjalë. Ajo që duket se përbën shkakun e këtij qëndrimi të Parisit, lidhet me politikat e emigracionit dhe kontrollin e fenomenit, duke synuar që vendimi final për liberalizimin të respektojë vullnetin e çdo vendi anëtar. Për rrjedhojë, Franca insiston për theksim të rolit të Këshillit të Europës, duke provokuar gjithsesi pasiguri shtesë për sa i përket lëvizjes së lirë. Sipas burimeve të “Top Channel”, pranë vendeve anëtare, Franca insiston që të theksohet roli i Këshillit Europian dhe që vendimmarrja për vizat të "varet nga vullneti i vendeve anëtare".
Në axhendën zyrtare të 27 ministrave të jashtëm të BE-së, është sot diskutimi mbi krizën e dialogut politik po mban Shqipërinë pezull prej 29 qershorit 2009. Që prej asaj dite komuniteti ndërkombëtar e ka diskutuar në disa faza krizën shqiptare, duke u nisur nga rangjet më të ulëta, për të ardhur sot në tryezën më të rëndësishme të vendimmarrjes politike.
Në një prononcim të vetin të datës 13 janar, pas takimit me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryetari i Parlamentit Europian, Jerzy Buzek, do të shprehej se “bojkoti i opozitës është shumë i keq”. Do të ishte pra kjo lëvizje e opozitës që do të tërhiqte vëmendjen e aktorëve europianë, të cilët lidhur me situatën e re do të caktonin dy reporterë, David ëilshare dhe Jakko Laasko. Këta të fundit, pas kontakteve në terren, do t’i propozonin Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës një draft–rezolutë, e cila u miratua në datën 28 janar 2010, pas disa ndryshimeve jo shumë thelbësore. Me 86 vota pro, nga 94 të pranishëm në sallë, asambleja ka miratuar një dokument që njihte ekzistencën në Shqipëri të “një krize politike, por jo institucionale”. Më shumë se kaq, ajo ngarkoi Komitetin e vet Presidencial që, së bashku me Komitetin Monitorues të drejtuar nga dyshja Laakso (Finlandë)- ëildshire (Mbretëria e Bashkuar), të vizitonte sa më shpejt Shqipërinë për të ndihmuar në rikthimin e dialogut politik. Në parantezë, vizita e këtij organizmi është paraprirë nga një takim dypalësh në Presidencë, në datën 13 shkurt, ku Kryeministri Sali Berisha dhe kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, me ndërmjetësimin e Bamir Topit, janë përpjekur të përafrojnë qëndrimet. Duhet thënë se mbërritja në Tiranë e Komitetit Presidencial në 22 shkurt nuk ka sjellë rezultatet e pritura dhe kjo mund të vërehet nga qëndrimi i kreut opozitar, Edi Rama, që u shpreh jo shumë pozitivisht për “mysafirin turk”, i cili drejtonte komitetin dhe që është Mevlut Cavushoglu. Në frymën e rezolutës së KiE, PS inicioi nisma parlamentare që synonin ngritjen e një komisioni parlamentar hetimor, duke kërkuar shumicën dhe drejtimin e tij. Në një seancë të zhvilluar më 19 mars 2010, pak orë para mbërritjes në Shqipëri të komisionerit për Zgjerim, Stefan Fule, pozita dhe opozita dështuan në arritjen e një kompromisi, për shkak të ballafaqimit rreth hapjes së kutive të votimit. Miratimi i komisionit pa praninë e PS-së mbeti një akt formal që e detyroi opozitën të zbresë në rrugë.
Greva e urisë dhe darka e StrasburgutMbyllja pa rezultat e diskutimeve në këtë fazë e solli klasën politike në muajin prill në një sezon ku PS u angazhua në përpunimin e strategjive të reja. Si pikë kulmore u përcaktua protesta e madhe e 30 prillit, e cila solli në Tiranë një numër të madh njerëzish nga i gjithë vendi dhe që, më shumë se kaq, i hapi rrugë kalimit drejt një lëvizjeje cilësisht të re. 200 qytetarë, përfshirë 22 deputetë të Partisë Socialiste, nisën një grevë urie në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, e cila u shoqërua me protesta të përditshme në mbarë vendin. Mbyllja e këtij cikli do të vinte më 19 maj, kur një telefonatë nga Brukseli i komisionerit për Zgjerim, Stefan Fule, e ka detyruar opozitën ta mbyllë grevën dhe të udhëtojë së bashku me Kryeministrin drejt Strasburgut. Në një darkë të imponuar, dy drejtuesit shqiptarë, në restorant “Krokodili”, kanë rënë dakord për angazhimin në gjetjen e një zgjidhjeje, që e paarritur deri më tani ka diktuar qëndrimin e sotshëm në Luksemburg.
#