Faleminderit Sovran!
Para rreth gjashtë muajsh, teksa pija kafe me një mik prokuror, mësova prej tij këtë histori. Një ish-i përndjekur politik, nga ata të vërtetit dhe jo nga ata që kanë “blerë” dëshminë për të qenë të tillë, shkon tek një zyrë që lëshonte dokumente apo vërtetime për ish-të përndjekurit politikë për të përfituar dëmshpërblimin. Ky i përndjekur përballet në zyrën ku do të merrte letrat me ish-hetuesin e tij të dikurshëm, që sot ishte nëpunës që lëshonte letrat për ish-të përndjekurit. Ish-i përndjekuri s’pati nevojë të prezantohej, sepse e njohu ish-hetuesi i tij. Dhe ish-hetuesi, me qesëndi, si kalorësi që i flet këmbësorit, i thotë ish-të përndjekurit: “Hë, ke ardhur të marrësh vërtetimin…” Ish-i përndjekuri mundet të qëndrojë në këmbë pa u rrëzuar, ndonëse bota iu soll rrotull. Heshti pak sa u ngop me ajër. Dhe foli: “Nuk i dua ato letra e ato para prej teje”. Dhe ish-i përndjekuri iku. Nuk u kthye kurrë më në atë zyrë. Nuk i mori ato letra e vërtetime. Nuk plotësoi dosje dëmshpërblimi. Iku e u hesht si gur varri…
Kjo histori që besoj nuk është e vetme, edhe pse dua të mos ketë shoqe, më ka tronditur shumë për një kohë të gjatë. Dhe vonesat për kalimin e ligjit për verifikimin e figurave ma shtonin brengën. Doja që sa më parë të kalonte ai ligj dhe ai ish-hetuesi, nëpunës sot, që lëshon vërtetime për të hetuarit prej tij në kohën e diktaturës, të shkojë në një punë tjetër.
Ligji për verifikimin e figurave u miratua mbrëmjen e së hënës së 22 dhjetorit 2008 nga përfaqësuesit e sovranit me 74 vota pro, duke e radhitur vendin tonë, ndonëse vonë, krah vendeve të tjera që e kanë bërë këtë ligj me kohë.
Socialistët braktisën votimin. Edhe ata që kanë njolla dhe nuk flenë të qetë, ata që kanë qenë rekrutorë apo rekrutues të spiunëve apo bashkëpunëtorëve, viktimave, që kanë punuar nëpër drejtorira shërbimesh sekrete qoftë për njerëzit brenda vendit e qoftë për njerëzit e shërbimit diplomatik jashtë vendit, ose e braktisën votimin, ose vollën vrer kundër ligjit. Edhe ca të tjerë shkrues pa pagesa në gazeta e folës po pa pagesë në ekrane, që nuk janë të qetë se mundet që dikur të kenë “gëlltitur ndonjë lugë çorbë të prishur”, dolën kundër dhe po na paralajmërojnë tërmet mes Shqipërisë e kancelarive mike, të cilat, për çudi, shfaqën droje dhe hezitim për këtë ligj.
Por ligji u miratua nga sovrani. Dhe sovranit nuk ke çfarë t’i bësh. Në rastin në fjalë mundemi vetëm ta falënderojmë për fuqinë që ka dhe që tregoi edhe në këtë rast.
Edhe për këtë ligj pati stërkëmbëza shumë nga vendas e të huaj që monitorojnë punët tona. U dolën në krah dhe në mbrojtje individëve që i rrezikon ky ligj, individë që gjithsej janë një grup i vogël gjyqtarësh, prokurorësh, nëpunësish e politikanësh, që për hir të së vërtetës, duhej me kohë të kishin hapur krahun, të iknin e jetonin në punën e tyre.
U dolën në krah struktura të shumta e të ndryshme, ish-funksionarë të lartë komunistë, postkomunistë bishtshkelur, “çorbëngrënës” të djeshëm, përfaqësues të strukturave të errëta e të pandriçuara kurrë, strofulla minjsh, drejtues e punonjës të shoqërisë civile për nga uniforma, por punonjës e ish-punonjës të organeve të zeza të diktaturës, në emër të Kushtetutës sonë, duke u betuar mbi Kushtetutën, duke na trembur se po shkelet Kushtetuta. E bënë përshesh Kushtetutën. E hëngrën përsheshin e saj dhe deshën të na mëkojnë me të.
U dolën në krah në emër të parimeve e të drejtave njerëzore, të kartave ndërkombëtare, të institucioneve ndërkombëtare. Sikur në Shqipëri po ndodhte hataja. Se në fakt u mësuan gjatë të jenë kalorës, anise të zinj.
Asnjë të drejtë nuk shkel ky ligj të askujt. Gjithkush ka të drejtë të mbrohet deri në gjykata ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Por ama të të drejtave të njeriut e jo të të drejtave të kriminelëve me fytyrë njeriu se edhe krimineli ashtu si budallai është si njeriu. Duke përdorur edhe fuqinë e kancelarive e duke folur edhe në emër të tyre.
(A thua kancelaritë janë kundër pastrimit të shoqërisë shqiptare nga mëkatet dhe krimet politike. A thua do të lejohej të punonte prokuror apo gjykatës në ndonjë shtet që ne e kemi model, ndonjë individ që ka qenë dikur prokuror a gjykatës dhe ka tejkaluar çdo masë dhe normë, duke dënuar politikisht me radikalizëm individë se kanë menduar ndryshe nga politika zyrtare? Nuk e besoj kurrë këtë. Po atëherë, ç’ka ndodhur në politikën shqiptare me drejtuesit e shtetit shqiptar, të na e thonë miqtë ndërkombëtarë, që ne shqiptarët të mos vdesim budallenj dhe të mos bëhemi dele?).
Për të mbrojtur njerëzit që kanë cenuar rëndë lirinë tonë, lirinë e shumë njerëzve ndër ne. Që kanë tejkaluar çdo normë njerëzore. Normal që kanë qenë të urdhëruar e të detyruar të bëjnë hetime e dënime të rënda, të padrejta. Kanë qenë të detyruar në masën më të madhe, e kuptoj, që të dënonin padrejtësisht me tërheqje zvarrë, vdekje e varje njerëz të këtij vendi, që edhe varri të mos u gjendej kurrën e kurrës. Pra, nuk kanë qenë të pavarur. E kanë shitur atëherë pavarësinë e tyre. Për një mijë arsye e kanë shitur pavarësinë e gjykimit të tyre, pavarësinë në hetimet që kanë bërë. Shkurt, janë përdorur nga politika e asaj kohe, janë keqpërdorur.
Por, kush na bind sot ne të gjallëve se ata njerëz, prokurorë e gjyqtarë që janë përdorur dje, nuk do të përdorën e keqpërdoren edhe sot nga politika apo segmente të tjera. Kush përdoret një herë, përdoret përherë. Kush e shet shpirtin një herë e ka të shitur dhe s’e ka të tijin shpirtin më.
Shumëkush mund të ketë luajtur rol e të ketë bërë shërbim ndaj ndonjë fuqie të huaj a ndaj ndonjë individi të ndonjë shteti të huaj. Shërbim të dyfishtë, duke dëmtuar rëndë parimet njerëzore të shqiptarëve, duke dënuar e përdhosur shqiptarë, duke nënshkruar varje, tërheqje rrugëve zvarrë, varrosje pa nam e nishan të shumë viktimave shqiptare. Këta njerëz, ekzekutorë, vendimmarrës të asaj kohe, mund të jenë të rëndësishëm për cilindo shtet, për cilindo popull, për cilindo individ diku, por jo për ne shqiptarët. Nëse janë aq të mirë, ju që i mbroni sot, mund t’i merrni falë. Për ne nuk janë të mirë, sepse kanë tejkaluar çdo parim e normë njerëzore. Nëse janë të mirë për ju, jua falim, pa kërkuar asnjë shpërblim, asnjë kacidhe dhe duke ju falënderuar.
Unë që po shkruaj nuk jam ish-i përndjekur politikisht në kohën e diktaturës, sepse në atë kohë jam shkolluar. Dhe as nuk kam “blerë” dëshmi persekucioni. Por ne jemi vend i vogël dhe asgjë këtu nuk kalon pa u marrë vesh. Kam dëgjuar për ish-hetues që u bënin tatuazhe në shpinë me cigare të ndezur personave nën hetim; që në ballin e tyre fiknin shkrepësen, pasi ndiznin cigaren. Unë kam parë djalë të ri të varur në qeli, në hekurat e dritares së vogël të qelisë, me pantallonat e tij, pse kishte dashur të arratisej jashtë vendit pas vitit 1985 dhe ishte arrestuar e po hetohej…
Zelli i tepruar për të kundërshtuar ligjin, frika e pajustifikuar ndaj tij për njerëzit që nuk kanë pengje ose që nuk “kanë gëlltitur dikur ndonjë lugë çorbë të prishur”, e çorientoi shumë opinionin nga përplasja e grupeve të forta kundërshtare të ligjit.
Ata që ligji i detyron të ikin nga sytë këmbët të lënë punët që kanë bërë edhe në diktaturë. Të ikin sepse nuk shkon më që ai që ka dënuar politikisht njerëz në diktaturë, të japë sot drejtësi. Ai që ka dënuar me burg dje një njeri pse ka dëgjuar lajmet në radio në stacione të huaja, nuk shkon që sot t’ia plotësojë dokumentet e të përndjekurit politik ish-të dënuarit të tij ose të jetë zyrtar shteti sot që jep vërtetime për të përndjekurit politikë.
Ata që kanë drejtuar dje organizata si atë të Frontit Demokratik apo të Bashkimit të Grave të vendit, apo grupimin e OJQ-ve të vendit dhe kanë qenë më komisarë se komisarët, më Enverë se Enveri se mund të kenë “gëlltitur ndonjë lugë çorbë të prishur” dhe që sot dalin partizanë militarë të euroatlantizmit dhe antiamerikanë race të veshur me kostume të bukura proamerikanizmi.
Ata që u dolën në krah ngrënësve të dikurshëm të çorbës së prishur dhe që folën në emër të miqve të shqiptarëve, në emër të mbrojtjes së të drejtave universale, druaj se nuk e dinë se çfarë ka ndodhur në këtë vend para viteve 1990, druaj se nuk arrijnë ta kuptojnë e besojnë historinë e komunizmit shqiptar.
Dhe më pak dua të besoj se e dinë, por duan të bëjnë kështu.
Dhe akoma më pak dua të besoj se grupi i atyre që do t’i ndëshkojë ky ligj janë përdorur si garanci për të mbyllur bëma të dikujt dhe për t’i hapur bëma të tilla dikujt tjetër, për t’i mbyllur çështje e dosje dikujt dhe për t’i hapur dikujt tjetër, për t’ia fshirë emrin dikujt nga ndonjë histori e pistë dhe për t’ia shkruar emrin dikujt tjetër.
Së pari duhet lexuar ligji se shumica që flasin për të nuk e kanë lexuar.
Së dyti të bëhemi më njerëzorë, të dalim prej llogoreve ushtarake dhe të flasim sy ndër sy, pa fjalë luftash, troç, para gjithë njerëzve.