Fjalori copëtues i së majtës
Përdorimi i gjuhës për zmadhimin ose zvogëlimin e efektit është një nga mjetet me të cilat operohet në politikë. Një ilustrim i kësaj është rasti i Barak Obamës i cili ishe i zi për të bardhët dhe jo aq sa duhet i zi për afrikano-amerikanët. Këta të fundit citonin edukimin e tij në shkollat e zgjedhura, manierat, por edhe faktin që nëna e Obamës ishte amerikane e bardhë. Kjo “lojë” me ngjyrën u kthye në një mjet politik për të justifikuar një qëllim, gjithashtu politik. Për t’u zhvendosur në Shqipëri, rruga Durrës-Prishtinë do t’i shëmbëllente rastit amerikan të ngjyrës së Obamës në atë se si ky segment komunikacioni fragmentarizohet. Kështu, tek ata që shohin tek vepra në fjalë rrugën që realisht e rrëzon murin shqiptar për t’u bërë një fill lidhës mbarëkombëtar, pagëzohet Durrës-Prishtinë. Të tjerë fusin në punë emërtimin Durrës-Kukës duke shenjuar kështu një hapje të Veriut shqiptar, për kaq kohë të margjinalizuar. Një palë e tretë, zgjedh emërtimin Rrëshen-Kalimash, duke e zvogëluar në maksimum impaktin kombëtar ose duke e kthyer, me dashje, në një me demek rrugë që, më shumë se e tillë, është një shteg dhish me anë të të cilit takohen, rrallë e përmall, mirditorët, pukjanët e kuksianët. Perifrazimi ‘Rrëshen-Kalimash’ dhe perifrazimi që rrjedh prej tij janë shërbesa të politikës dhe medias së majtë. Në kronika lajmesh, shkrime gazetash, analiza, fjalime mitingjesh apo tribunë Kuvendi, gazetarët dhe politikanët e së majtës vazhdimisht i referohen Durrës-Kukës-Prishtinës si Rrëshen-Kalimashi. Ky copëtim i lejon publikut të gjerë përballjen me imazhin e largët, të ftohtë dhe verior që të përcjellin emrat Rrëshen dhe Kalimash. E kundërta, njëfarë ngrohtësie ku bashkohen qytetërimi dhe deti me të panjohurën dhe kombëtaren, do të shërbente binomi Durrës-Prishtinë. Por kjo nuk përdoret sa kohë rruga në fjalë është një vepër përfundimi i së cilës do t’i jepte pikë së djathtës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Mass media e majtë, me cinizëm, e anashkalon motivin kombëtar të kësaj rruge, duke e veshur vetëm me varakun e lirë politik i cili në këtë rast ka ngjyrë gri. Një rebus interesant do të ishin zgjedhjet e mundshme që e majta do qiste prej fjalorit të saj për të shenjuar Rrugën e Arbrit. (Ja një mejtim|: le ta quajnë rruga “Moisi Golemi”).
Meqë e majta na e ka dhënë këtë lloj fjalori politik i cili rrugën kombëtare e bën shteg lokal dhish, por edhe rastin për paralelizma, po e provojmë. A ju kujtohet hekurudha Milot-Rrëshen-Klos? Ka qenë grahma e fundit e aksioneve vullnetare të Partisë së Punës dhe njëkohësisht një projekt i dështuar, skeleti i të cilit shpëlahet nga rrëketë që zbresin teposhtë nga Klosi në Rrëshen nëpër një hekurudhë, treni i së cilës nuk të çon kurrë nga Rrësheni në Klos. Rrësheni pra na shërben si simbol ku treni i së majtës nuk e futi kurrë brenda atdheut trupin e Veriut shqiptar. Ironikisht, e majta nuk pushon së përdoruri toponimin e mësipërm për simbolikë politike. Por, kësaj radhe, Rrësheni nuk është fundi, por fillimi i rrugës. Nëpër kryqëzimet e këtyre arterieve ku lokalja takon kombëtaren, e djeshmja të sotmen, e majta të djathtën, Veriu Jugun, kalon edhe aksioni politik i dy krahëve. Kryeministri Berisha e ka pagëzuar turin e tij “Shqipëria po ndryshon”, ndërsa shefi i opozitës, Rama, “Dialog me Shqipërinë”. Afërmendsh, si Ndryshimi edhe Dialogu janë jo vetëm momente, por edhe simbole politike. Mendja nuk mund ta përjashtojë mundësinë që dialogu ndodh në të njëjtën kohë kur ndodh edhe ndryshimi. Sepse, ata nuk mund ta përjashtojnë njëri-tjetrin. Kështu, nëse hekurudha hipotetike Milot-Rrëshen-Klos përfaqëson dialogun kaherë të ndërprerë të së majtës me Shqipërinë e Epërme, rruga Durrës-Prishtinë simbolizon ndryshimin, i cili e tejkalon lokalen, duke përmirësuar arealin kombëtar. Gjuha, pra, ka dhe mund të shpikë mjete të bollta për të emërtuar vende, ngjarje apo dukuri. Rruga Durrës-Prishtinë është një vepër rëndësia e së cilës duhet ta tejkalojë dhunën copëtuese të fjalorit politik të ditës. Nëse e djathta ia pret shiritin kësaj rruge, lum si ajo! Por, edhe ne!