Rezultati politik nga tavolina
Komisioni i Ligjeve arriti dje të kalonte me konsensus të gjerë projektligjin për prokurorinë, duke i dhënë fund njërit prej debateve më të gjata të politikës shqiptare këtë vit. Por ndërkaq, duke afirmuar edhe më shumë një mënyre të re të të bërit politikë në Shqipëri, atë të tavolinës me diferencë të dukshme me politikën e pak viteve më parë.
Mbetet për t’u shënuar konsensusi i ligjit për prokurorinë, mes disa ligjeve të tjera të rëndësishme që ka kaluar Parlamenti, për shkak se debati rreth tij ka qenë më delikat se në të gjitha rastet e tjera, pasi brenda tij përfshiheshin edhe institucione me ndjeshmëri të lartë ndaj vendimeve politike, siç është institucioni i akuzës.
Po ashtu, në këtë debat përveç qeverisë ishin përfshirë fort edhe opozita, edhe ndërkombëtarët, duke u kthyer pak a shumë në një test se si disa faktorë mund të debatojnë mes tyre, mund të rrëzojnë e mbrojnë nene të tëra në projekt, për të dhënë në finale një projekt funksional për institucionin dhe të pranueshme për të gjitha palët e përfshira në këtë proces.
Është fakt se varianti i parë i këtij ligji me atë që kaloi dje në Komisionin e Ligjeve ka diferenca, por janë këto diferenca që e bëjnë atë të jetë i qëndrueshëm dhe i aplikueshëm.
Dy forcat e mëdha politike kanë përdorur të gjitha resurset e tyre të komunikimit, për të finalizuar një ligj që më shumë kishte shanse të rrëzohej sa herë të paraqitej në Parlament, sesa të aprovohej, për shkak se në çdo moment dhe në çdo mënyrë prodhonte hapësira për komente sipas interesave të ndryshme. Për më shumë, secili prej komenteve mbi ligj ngjante i besueshëm, pavarësisht prej cilave interesa buronte komenti.
Po ashtu, edhe ndërkombëtarët, nëpërmjet dy misioneve të tyre, atij amerikan OPDAT dhe ai i BE-së, EURALIUS, u përfshinë në debat, duke lënë nga vetja ndonjë opsion dhe duke rrënjosur të tjera në ligj, por edhe në mentalitetin e politikës shqiptare. Pozicioni i tyre në ndërtimin e këtij ligji e bëri më të besueshëm debatin mes politikës në Shqipëri dhe rriti shpejtësinë e arritjes së një projekti final që siguroi dje votat e shumicës së cilësuar.
Gjetja e situatës së pranueshme mes PD-së e PS-së për kalimin e këtij ligji është rasti kur politika ka produkt. Në rastin e këtij ligji të vështirë, për shkak të historisë së prokurorisë përgjatë tranzicionit, e vendos këtë konsensus në krye të rasteve të tilla dhe, duke ia bashkangjitur edhe ligjeve të tjera të rëndësishme që kanë kaluar këtë vit, e përfshijnë atë në një mënyre të re të funksionimit të politikës dhe marrjes së rezultatit politik përmes tavolinës.
Pushteti në demokraci i takon vetëm një pale, por duke qenë i tillë, ai ka më shumë mundësi të ndahet. Kjo gjë po mësohet prej disa vitesh nga politika shqiptare, duke filluar nga vitit 2002, kur u shënuan edhe kompromiset e para cilësore politike, për të vazhduar deri në këtë vit, në të cilin pothuajse në të gjitha rastet zgjidhja është marrë pas mëshimit tek dialogu dhe jo mëshimit të pushtetit apo mëshimit të mungesës së pushtetit.