E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet nuk janë “kështjella”!



Universiteti është qendër e madhe ku studiohet, kërkohet, komunikohet, punohet për shkencën dhe edukimin.

Universitetet tek ne po zhvillohen shumë shpejt dhe tashti kemi universitete publike dhe private. Gjithashtu, studentët shqiptarë studiojnë në universitetet më prestigjioze të Perëndimit dhe Lindjes.

Mundësitë për të studiuar janë të mëdha, pasi hapja e vendit tonë drejt vendeve me arsim universitar të zhvilluar ka sjellë mundësi për studime dhe kontakte dhe gjithashtu një teknologji të re të studiuari, që së bashku me atë çfarë trashëguam, duhet të çohet përpara dhe të mbështetet në metodat dhe metodologjitë bashkëkohore.

Në realitet, arsimi universitar tek ne është i ri në krahasim me vendet e zhvilluara tek të cilat universitetet janë hapur para qindra vjetësh.

P.sh. Universiteti i Hajdelbergut, vendi ku ka studiuar Hajnrih Hajne dhe shumë figura të shquara me vlera botërore, është krijuar në shek e 14-të.

Sot, në ditët tona, studimi është një proces i konceptuar jashtë formave rutinë.

Qëllimi kryesor i universiteteve është krijimi i ideve liberale në funksion të zhvillimit shoqëror dhe ekonomik aktual.

Universitetet e zhvilluara nuk janë “kështjella” të mbyllura. Ato janë të hapura për kurrikula dhe koncepte të reja.

Ato janë të hapura gjithashtu për lëndë të reja me karakter të theksuar shkencor.

Sot në universitetet e zhvilluara përpunohen lëndë të cilat i përgjigjen zhvillimit akademik dhe shoqërisë bashkëkohore. Në kohët moderne ato janë kthyer në qendra ku zhvillohet shkenca dhe idetë e reja.

Studimi në një universitet po tenton gjithnjë e më tepër të kthehet në një mënyrë për të krijuar një komunikim ndërmjet trupës akademike, studentëve me botën e zhvilluar dhe institucionet jashtë universiteteve, duke i kthyer ato në qendra të debatit modern dhe të një komunikimi që po i bën të hapura kundrejt ideve dhe mënyrave të cilat ndikojnë në procesin mësimor dhe në rritjen e nivelit të tyre në forma marramendëse.

Universitetet bashkëpunojnë me pushtetin lokal dhe qendror, me firmat dhe bizneset e caktuara, të cilat kanë përfitim prej studimeve të profesorëve dhe studentëve dhe që i ndihmojnë ata me donacione për studime të mëtejshme.

Krahas procesit akademik, sot studentët dhe pedagogët marrin pjesë në shumë aktivitete me qëllime akademike, kulturore, qytetare dhe humane.

Në shumë universitete, krahas shkëmbimeve akademike, profesorët dhe studentët kanë mundësinë të provojnë përvoja të caktuara nga kultura të ndryshme, duke jetuar dhe studiuar jashtë vendeve të tyre.

Në të gjithë botën universitetet janë qendra shumë të zhvilluara ku përgatiten projekte për zhvillim, të cilat ndikojnë fuqishëm në zhvillimin e një shteti, rajoni apo qyteti.

Universitetet duhet të kthehen në qendra të mëdha kërkimore të cilat zhvillojnë shoqërinë dhe vetë universitetin.

Botimet, konferencat, studimet e mirëfillta shkencore e çojnë përpara një qendër të madhe siç është universiteti.

Kërkimi shkencor duhet të jetë në bazën e çdo universiteti.

Universitetet në kohët moderne janë gjithashtu qendra të hapura për të gjithë ata individë me ide, të cilët duan të prezantojnë punët e tyre me bazë shkencore.

Në universitetet e zhvilluara të botës, krahas lëndëve tradicionale, po futen gjithnjë e më tepër lëndë krijuese dhe të reja të cilat nuk janë zhvilluar përpara.

Duke futur këtë frymë në universitete dhe mënyra të reja të prezantimit, ato kthehen në institucione të hapura dhe nuk janë të mbyllura për ide dhe arritje të cilat ndihmojnë procesin akademik.

Gjithashtu, ato nuk janë institucione të mbyllura, por këto qendra duhet të kthehen në institucione të debatit qytetar, intelektual dhe mbi të gjitha të hapen në drejtim të ideve përparimtare, të cilat janë edhe mënyra e vetme për t’i çuar këto institucione përpara.

Zhvillimet kulturore, idetë e reja nuk i mbyllin, por i hapin universitetet drejt metodave dhe formave të reja.

Ato nuk janë kështjella ku vetëm mësohet, por edhe qendra ku zhvillohen e çohen përpara projekte për zhvillim.

Krahas një sistemi liberal dhe perëndimor edukimi, universiteti duhet të zhvillojë shumë shkencat humane dhe humanizmin si filozofi.

Humanizmi është një ndjenjë e latë fisnike, kujdes i veçantë dhe dashuri e thellë ndaj njerëzve, qëndrim njerëzor.

Gjithashtu, studimi i arteve në të gjitha degët e shkencave shoqërore dhe të sakta i ndihmon këto fusha të krijojnë ide më të qarta për fushën e caktuar.

Arti, si formë e pasqyrimit të botës, si shprehje e veçantë e njohjes shoqërore, nëpërmjet riprodhimit të realitetit në mënyrë krijuese me anë të figurave artistike, ndikon shumë në zhvillimin e dijeve dhe të intelektit.

Kultura duhet të zërë një vend të rëndësishëm në të gjitha studimet akademike, fushat e zhvillimit shoqëror që përfshin krijimtarinë e gjithanshme në gjuhë, në art, letërsi, në shkollë dhe në tërë jetën shoqërore.

Pa edukimin human e kulturor, universitetet nuk do të kenë një zhvillim, i cili do të krijojë një brez i cili do të vërë në parimet e tij idetë humane të cilat ndikojnë në të gjitha shkencat dhe fushat e zhvillimit, duke vendosur njeriun dhe njerëzoren në epiqendër të vëmendjes shoqërore.

Prandaj, universitetet moderne nuk duhet të jenë të mbyllura dhe konservative.

Ato nuk janë kështjella, por duhet të kthehen në institucione të cilat krijojnë një mjedis për punë, studim dhe kërkim dhe edukim bashkëkohor.

*Pedagog në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›