Aleatët: Flasim pas Kodit

Përfundimi i Kodit të ri Zgjedhor dhe rezultati që të dalë prej tij duket se kanë lënë pezull aleatët e djathtë. Të pyetur nga “Korrieri” sesi e shohin në këto momente idenë për krijimin e një federate të djathtë, ata parimisht janë pro, megjithatë duket se qëndrimi i tyre i vendosur do të tregohet pas përfundimit të Kodit Zgjedhor. Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, i cili e ka mbështetur vazhdimisht idenë e krijimit të një federate të djathtë, thotë se PDK-ja do të thotë fjalën e vet pas përfundimit të Kodit Zgjedhor. Marrëdhëniet e demokristianit Ndoka me kryeministrin Sali Berisha kanë bërë që ai të mos përjashtojë asnjërën nga mundësitë, atë të krijimit të një federate të djathtë, por as atë të krijimit të një poli të dytë brenda së djathtës, në të cilën sigurisht do të mungojë Partia Demokratike. Ndërsa kreu i Partisë Bashkimi Liberal-Demokrat, Arian Starova, thotë se pret kohën dhe mënyrën e propozimit të federatës, dhe në bazë të këtyre dy kritereve, do të gjykonte nëse do të ishte pjesë e federatës ose jo. Ndërsa kreu i grupit parlamentar agraro-ambientalist, Petrit Gjoni, ku partia e tij, PAA-ja, është aktualisht pjesë e koalicionit të djathtë, thotë se parimisht është që mazhoranca të funksionojë kështu siç po funksionon, dhe në rast se mendohet që ky bashkëpunim do të zgjasë edhe më shumë se 4 vite, atëherë çdo ide është e mirëpritur për ta. Sipas tij, edhe ideja e krijimit të një federate të djathtë është e mirëpritur, por me kushtin që në këtë federatë forcat politike të ruajnë identitetin e tyre. Vonesa në përfundimin e Kodit Zgjedhor ka sjellë edhe pezullimin e diskutimeve, edhe të tryezave konkrete mes partive të djathta. Përcaktimi i qartë i pjesës së koalicioneve, i opsioneve të listave dhe përfundimi i Kodit Zgjedhor do të sillte edhe nisjen e diskutimeve konkrete mes partive të djathta për mënyrën e krijimit të koalicionit. Aktualisht Partia Republikane është dakord me krijimin e një federate të djathtë, ide kjo e mbështetur vazhdimisht nga ata. Edhe Partia Demokratike shprehet e gatshme për të dëgjuar propozimet e aleatëve të saj për mënyrën e koalicionit parazgjedhor, përfshirë krijimin e federatës së djathtë. Megjithatë, aleatët duket se do të tregohen të matur, për të mos dhënë qëndrime konkrete, ndërsa shprehen se “fjalën e tyre do ta thonë pas përfundimit të Kodit”.