E Diel, 1 Nëntor 2026

Falet energjia për 270 mijë familje

24/03/2011  Qeveria miraton projektin për shuarjen e faturave për 14 vjet

Kategoritë përfituese, që i kushtojnë shtetit një faturë prej 400 milionë dollarë

Qeveria shqiptare vendosi në mbledhjen e djeshme të falë të gjitha detyrimet e prapambetura të faturave të energjisë të të gjithë shtresave në nevojë të 270 mijë familjeve shqiptare, duke filluar me borxhet më të hershme në vitin 1992 e deri te faturat që mbajnë datën 31 dhjetor 2006. Fatura e borxheve të prapambetura, afro 14-vjeçare, arrin në 38 miliardë lekë, ose 380 milionë dollarë. Kryeministri Berisha tha për këtë projekt se pjesa e borxhit e mbetur në shoqërinë “KESH”, sh.a, një shumë prej rreth 400 milionë dollarë, u përket konsumatorëve familjarë dhe pothuajse 98 për qind e atyre që i kanë këto detyrime u përkasin shtresave në nevojë. “E vërteta është se detyrues për faturat e energjisë janë 270 mijë familje shqiptare. Këto janë familje në ndihmë ekonomike, janë pensionistë pa burime të tjera të ardhurash përveç pensionit të tyre, janë gra kryefamiljare, jetimë, invalidë”, - u shpreh kryeministri. Vendimi do të zbatohet për të gjitha familjet në ndihmë ekonomike dhe papunësi, të gjithë pensionistët me pensione minimale dhe pa burime të tjera të ardhurash për të gjitha pensionet minimale të të gjitha kategorive: invalidët, gratë kryefamiljare dhe të gjithë personat me status jetim. Në këtë mënyrë, qeveria çeli dritën jeshile për hartimin e listës së përfituesve nga vendimi në fjalë, nga institucionet përgjegjëse, siç janë: Shërbimi Social Shtetëror, i cili do të merret me shtresat në nevojë, apo ato që përfitojnë ndihmë ekonomike; Instituti i Sigurimeve Shoqërore, i cili mbulon kategorinë e pensionistëve me të ardhura minimale. Vendimin e djeshëm i kryeministrit Berisha e paralajmëroi një javë më parë në mbledhjen e qeverisë. Duke folur për këtë nismë shefi i ekzekutivit kërkoi nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës që në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Entin Energjetik të kalojnë sa më shpejt vendimin e qeverisë për këtë akt, i cili sipas tij do të përbëjë një lehtësim për jetën e përditshme të shtresave në nevojë.

Kategoritë përfituese

Vendimi do të zbatohet për të gjitha familjet në ndihmë ekonomike dhe papunësi, të gjithë pensionistët me pensione minimale dhe pa burime të tjera të ardhurash, për të gjitha pensionet minimale të të gjitha kategorive, invalidët, gratë kryefamiljare dhe të gjithë personat me status jetim. Nga falja e detyrimeve të prapambetura të faturave të energjisë elektrike përfitojnë 270 mijë familje shqiptare, që u përkasin shtresave në nevojë.

Afati i faljes

Falja përfshin të gjitha faturat e regjistruara nga viti 1992 e deri në datën 31 dhjetor 2006. Në terma të tjerë, sipas sqarimit të kryeministrit, ajo shtrihet që nga fillimi i detyrimeve që ekzistojnë në KESH deri ditën që shpërndarja e energjisë merret nga CEZ-i, kohë kur vendimi i qeverisë bëhet inekzistent. “Është një ndërmarrje private në të cilën ne ftojmë të gjithë qytetarët ti përgjigjen me korrektesën më të madhe”, - tha ai.

Vizita e kryeministrit

Berisha në Bruksel për të marrë pjesë në PPE

Kryeministri Sali Berisha u nis dje pasdite për në Bruksel për të marrë pjesë në samitin e Partive Popullore Evropiane, i cili do të mbahet sot në kështjellën “Bouchout” në Meise. Në këtë samit marrin pjesë personalitete të njohura të politikës europiane, kryetarë shtetesh e qeverish dhe liderë të opozitës së vendeve të Bashkimit Evropian dhe atyre jashtë tij si dhe presidenti i Këshillit Europian Herman Van Rompuy, i Komisionit Europian Jose Manuel Baroso dhe ai i Parlamentit Europian dhe Jerzy Buzek. Samiti, i cili do të drejtohet nga presidenti i Partive Popullore Evropiane Vilfrid Martens, i paraprin mbledhjes së Këshillit Europian. Partia Popullore Evropiane aktualisht ka 15 nga 27 liderët e vendeve të Bashkimit Europian: kryeministri i Hungarisë Viktor Obran, presidenti i Belgjikës Yves Leterme, presidenti Francez Nikolas Sarkozi, kryeministria e Gjermanisë Angela Merkel, kryeministri i Luksenburgut Jean-Claude Juncker, kryeministri i Suedisë Fredrik Reinfeldt, kryeministri i Polonisë Donald Tusk, kryeministri i Italisë Silvio Berluskoni, kryeministri i Lituanisë Valdis Dombrovskis, presidenti i Rumanisë Taraian Basescu, kryeministri i Bullgarisë Bojko Borisov, kryeministri i Lituanisë Andrius Kubilius dhe kryeministri i Sllovakisë Iveta Radicova. Miratohet fondi për vëzhgimin e shkollave dhe rrugëve

Ministrisë së Brendshme në buxhetin e miratuar për vitin 2011, në programin buxhetor “Policia e Shtetit”, i shtohet fondi prej 660 milionë lekësh, për blerje pajisjesh, mjetesh, materialesh të tjera speciale, si dhe për sistemin e monitorimit me kamera të qytetit të Tiranës, i cili do të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave. Nga ky fond, 634 650 700 lekë të klasifikohen si shpenzime për investime dhe 25 349 300 lekë për mallra e shërbime. Ky është vendim i marrë dje nga qeveria shqiptare dhe që ka si synim financimin e sistemit të kamerave për kryeqytetin në rrugët e tij dhe shkollat. Në fjalën e tij për këtë projekt, kreu i qeverisë shqiptare nuk ka lënë mënjanë as batutat e rastit. “Sot miratojmë dhe vendimin për financimin e sistemit të kamerave për kryeqytetin, një sistem i domosdoshëm për sigurinë në tërësi në kryeqytet, por veçanërisht për sigurinë e fëmijëve tanë. Sistemi i kamerave është sistemi më modern i sigurisë i vendosur në Evropë dhe në botë. I vetmi problem imi zoti Basha, ndonëse je promotor i këtij projekti, rezervohu në votim që të mos kemi konflikt interesi”, deklaroi kryeministri. Iniciativa e ministrit të Brendshëm, Basha ka marrë shkas nga problematika e krijuar në rrugët e kryeqytetit me pasojë aksidentet, si dhe problemet e shfaqura tek të rinjtë shqiptare në shkolla. Duke synuar shmangien e tyre, dhe ndëshkimin e përgjegjësve, kreu i dikasterit të ministrisë së Brendshme e ka bërë prezentë gjatë takimit vjetor për Luftën Kundër Kultivimit të Bimëve Narkotike. Duke prezantuar si prioritetin kryesor për vitin 2011, tolerancë zero për ata që u shpërndajnë lëndë narkotike fëmijëve në shkolla, Basha tha se vëmendja e policisë duhet të jetë absolute dhe në veçanti për qytetin e Tiranës, duke deklaruar instalimin e kamerave në çdo shkollë.

Ministri Basha

“Nëse 2010-a shënoi përparime të jashtëzakonshme në luftën kundër trafikantëve dhe kultivuesve, 2011-a duhet të shënojë një intensifikim të plotë të luftës kundër shpërndarësve të drogës. Nuk do të ketë kamera në çdo cep të Tiranës, por do të ketë kamera në çdo shkollë të Tiranës”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›