E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vret me kaçavidë rojën e shkollës 17-vjeçari

24/03/2011  I riu sapo kishte dalë nga arresti i shtëpisë për vjedhje motorësh

Policia dhe familja në kërkim të autorit, viktima 49 vjeç

ELBASAN-Një 17-vjeçar godet për vdekje rojën e shkollës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11.00 në shkollën e mesme të fshatit Mollas në rrethin e Elbasanit. Eljaso Çela 17 vjeç me banim në fshatin Mollas ka kërkuar të hyjë në shkollë, por nuk është lejuar nga roja i shkollës Adriatik Gjini 49 vjeç të hynte brenda. Mes tyre ka pasur një debat të fortë dhe 17- vjeçari ka nxjerrë një kaçavidë dhe e ka goditur rojën në qafë. Goditja ka qenë fatale për 49-vjeçarin, i cili nuk është transportuar as në spital për shkak se ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Familjarët e mbërritur pak minuta pas krimit kanë rendur ta ndihmojnë, por ka qenë e pamundur dhe në familjen Gjini kanë filluar të mblidhen njerëzit për mort. Ndërkohë adoleshenti ka arritur të largohet me vrap nga vendi i krimit dhe nuk ka informacione për vendndodhjen e tij. Forca të shumta të policisë, si dhe vetë familjarët janë vënë në kërkim të 17-vjeçarit, i cili mendohet të jetë larguar në pjesën e kodrave të zonës. Çela kishte vetëm një ditë që ishte i lirë, pasi kishte mbyllur afatin e arrestit në shtëpi nga gjykata e Elbasanit i akuzuar për vjedhjen e dy motorëve. Sipas të dhënave të para të policisë të mbërritur në vendin e ngjarjes, i riu ka kërkuar të hyjë brenda në shkollë ndoshta për të takuar ndonjë vajzë, por kur është përballur me rojën ka dashur të bëjë të fortin. Kur e ka pasur të pamundur të hyjë në shkollë ka reaguar duke nxjerrë kaçavidën. Dëshmitarë në vendin e ngjarjes tregojnë se 17-vjeçari ka dashur të hyjë me çdo kusht në shkollë dhe kjo ka bërë që roja të kërkojë ta ndalojë, por duke qenë i paarmatosur roja, i riu i ka nxjerrë kaçavidën. Autori i krimit e kishte shtëpinë pak metra larg shkollës. Familjarët e tij kanë nxituar të dalin vetë ta kërkojnë duke mbyllur shtëpinë. Ndërkohë familja e Gjinit një lagje larg shkollës ka hapur dyert për mort. Për shkak të afërsisë me autorin e ngjarjes banorët përreth shkollës kanë ngurruar të flasin mbi këtë ngjarje madje dhe vetë nxënësit. Madje mësohet se trupi i viktimës nuk është lejuar t’i bëhet ekspertiza mjeko-ligjore duke e mbajtur kufomën në shtëpi. Në shtator të vitit të kaluar Eljaso Çela u arrestua pasi akuzohej për vjedhjen e dy motorëve. Ai për shkak të moshës kishte përfituar dënim të lehtë arrest shtëpie, por sipas banorëve nuk e kishte zbatuar ndonjëherë. I riu kishte shtëpinë afër shkollës dhe ishte i përhershëm në ambientet e saj. Mësohet madje se ai ishte përjashtuar një vit më parë.

L. Lleshi

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›