Falimenton Televizioni “A1”
Çështjet e borxheve dhe keqpërdorimeve që u nxorën nga ana e kontrolleve financiare të institucioneve shtetërore çuan deri në mbylljen e medias qe ishte e pranishme ne tregun maqedonas prej 18 vitesh. Administratori i falimentimit njoftoi se televizioni ka borxhe prej rreth 9,4 milionë euro për mospagesën e tatimeve, si edhe rreth 20 milionë euro për mospagimin e palëve te treta për qëllime te ndryshme. Nga ana tjetër, avokatet e Ramkovskit u shprehen se do te ankohen për vlerësimin e borxheve, pasi sipas tyre ka patur shkelje gjate ekspertizës financiare. Mbyllja e televizionit te njohur si kritik ndaj qeverise, është dënuar fuqishëm nga opozita, qe e ka cilësuar një skenar te kryeministrit Gruevski për t’i mbyllur zërin mediave kundër tij, duke gjetur arsye te tjera. Madje zhbllokimi i llogarive bankare te televizionit a1 ishte edhe një nga kushtet e opozitës përpara zgjedhjeve për t’iu rikthyer jetës parlamentare, gjë qe nuk u pranua nga qeveria. Pronari i këtij televizioni, Velija Ramkovski dhe bashkëpunëtor të tij u arrestuan në nëntor të vitit të kaluar, ndërsa gjatë muajit të ardhshëm pritet të përfundojë procesi gjyqësor kundër tij, pas akuzave të ngritura për fshehje tatimesh, bashkëveprim me akte kriminale, pastrim parash dhe vepra tjera. Para falimentimit të televizionit, u mbyllën edhe tre gazeta të përditshme që ishin në pronësi të Ramkovskit, për shkak të bllokimit të llogarive të tyre bankare dhe gjetjes së parregullsive në funksionimin e tyre.