E Diel, 1 Nëntor 2026

KLSH: Si u shpërdorua fondi për mobilimin e Vilës Nr. 30

Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare shkaktoi evazion fiskal

Shaban Sulçe

Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare rezulton të ketë abuzuar financiarisht përsa i përket rikonstruksionit të disa prej rezidencave qeveritare. Në procesin e mobilimit të Vilës Qeveritare numër 30, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka renditur dhe faktuar një sërë abuzimesh pas kontrollit të kryer. Shkeljet janë gjetur si përsa u përket procedurave të tenderit, parregullsive në preventivat financiarë, deri edhe në evazion fiskal në kurriz të shtetit.

Prokurimi
Më poshtë jepet e plotë pjesa e raportit të KLSH-së për kontrollet e kryera për procedurat tenderuese për mobilimin e Vilës 30. “Nga kontrolli në ‘Mobilim i pjesshëm i Vilës 30’ u konstatua se: Bashkëlidhur dokumenteve standarde të tenderit është vënë preventiv i ndryshuar në krahasim me preventivin e hartuar për llogaritjen e fondit limit nga firma P-A-L-M-A Contruksion Albania. Llogaritja e fondit limit është bërë me Objekt Aderimi i Vilës Nr. 30 në vlerë pa TVSH 8,696,400 lekë dhe me TVSH plus fondin rezervë në vlerën në masën 5%, me vlerë 434,820 lekë, në total me vlerën 10,957,464 lekë, kur vlera e ndërtimit në këtë preventiv është në vlerën 90,000 lekë dhe konkretisht: Pikat me numrat 11 dhe 12 të A. Dhoma gjumi matrimo, përkatësisht Rinovim i dyerve të banjës 2x10,000=20,000 lekë dhe Derë me rimeso arre (brenda kasës ekzistuese) 2x35,000=70,000 lekë, totali i këtij preventivi është në vlerën 10,957,464 lekë. Firma P-A-L-M-A Contruksion Albania ka bërë dhe projektin për rikonstruksionin. Pra, që në hartimin e preventivit mbi të cilin është llogaritur fondi limit duken qartë shtesat, të pabazuara në ligjin e prokurimeve. Në rastin konkret, vlera e mallrave pa TVSH janë në vlerën 8,606,400 lekë dhe ndërtimi në vlerën 90,000 lekë, në preventiv shtesa e fondit limit në vlerën 434,820 lekë është në kundërshtim.
Preventivi
Ky preventiv ka vetëm vulën e firmës, pra nuk e ka emrin e personit që e ka hartuar dhe nënshkrimin e tij, pra është i pavlefshëm. Edhe preventivi bashkëlidhur dokumenteve të tenderit është i pavlefshëm, sepse nuk ka as firmë dhe as vulë, pra nuk dihet nga kush është hartuar. Bashkëlidhur dokumenteve të bankës është vetëm preventivi i hartuar nga firma që ka fituar tenderin, që është me firmë dhe vulë. Ky preventiv është i ndryshëm me preventivin e paraqitur për llogaritjen e fondit limit.

Mallrat skarco
Nga verifikimi në vend që u bë në Vilën 30, për mobilimin e ardhur nga Italia rezultoi se: Nga krahasimi çmimit të blerjes me mobiliet e vendosura, në fakt cilësia e tyre linte për të dëshiruar. Nga krahasimi i zhdoganimit të mallit, për të cilin TVSH-ja ishte në vlerën 327,045 lekë, sipas mandat-arkëtimit 000114, datë 05.11.2007, të Raiffeisen BANK, duke i shtuar shpenzimet e transportit në vlerën 2,400 x 123.08 lekë (kursi për 1 euro, sipas kursit të doganës në datën 05.11.2007), nga shoqëria e transportit TRAS-SPEED SHPK, Tiranë, fatura tatimore e shitjes nr. 71, datë 05.11.2007, me numër serie 368473, NIPT K61507024Ë, është në vlerën 290,400 lekë, konvertuar me kursin e Doganës duhet të ishte 295,392 lekë.
Për këto mobilie është paguar më 27.12.2007 vlera (10,225,410 – 90,000 = 10,135,410 lekë, pra 4.5 herë më shumë, në këtë rast kemi të bëjmë me abuzim të hapur ndaj fondeve të buxhetit ose me evazion fiskal. Në dyja rastet shtetit i është shkaktuar dëm ekonomik minimalisht në vlerën 4.5 milionë lekë, sikur fitimi dhe shpenzimet e tjera të shoqërisë të jenë sa totali i shpenzimeve në vlerën 2,257,687 lekë.

Tenderi
Për ta nxjerrë këtë firmë fituese në Urdhrin e Prokurimit nr. 286/2, datë 15.08.2007 thuhet: “Lloji i procedurës...........tender me negocim pa botim”, duke anuluar tenderin e hapur një ditë para zhvillimit të tij.
Në këtë tender kjo shoqëri ka paraqitur si punime të ngjashme tenderin e sallës së VIP-ave të Aeroportit të Rinasit, sipas kontratës nr. 637, datë 05.06.2007 me vlerë 3,889,550 lekë, pra të kryer po në këtë drejtori, në kundërshtim me kriteret e veçanta për kualifikim. Firma “KDK” sh.p.k. nuk ka licencë për mobilim, nisur nga vendimi i Gjykatës së Rrethit Tiranë nr. 15117, datë 07.06.1996, ku thuhet se “... aktivitet të tillë ekonomik që konsiston në projektim, ndërtim, shitje të pasurive të tundshme e patundshme, tregtim materialesh ndërtimi”, pra totalisht me problemet e ndërtimit. Procesverbali i mbajtur më datën 23.11.2007, në ambientet e Vilës 30 midis përfaqësueses së DSHQ-së Mynereve Ngjeliu, kur në fakt ky procesverbal është mbajtur midis Dhimitraq Tomcos dhe drejtoreshës Elsa Meksi, pra duket hapur se këto dokumente janë miratuar formalisht. Kërkesat e bëra nga administratori Dhimitraq Tomço janë pa datë, nuk janë paraqitur në Sekretarinë e DSHQ-së, pra nuk e ka parë të nevojshme ta kalojë konform rregullave.
Pra, siç del sa trajtuam më sipër, shkeljet për këtë tender kanë filluar që në momentin e hartimit të preventivit për llogaritjen e fondit limit, deri në dorëzimin e mallit dhe si konkluzion mendojmë se ky tender është i paramenduar për të fituar firma “KDK” sh.p.k., duke i shkaktuar buxhetit të shtetit minimumin dëm ekonomik në vlerën 2.257.687 lekë.

Skandali/ Drejtoria nuk ia ktheu paratë Ambasadës Shqiptare në Romë

Një tjetër veprim po me përmasa skandaloze rezulton të jetë kryer nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, e cila i ka borxh 16 mijë euro Ambasadës Shqiptare në Romë. “Nga Ambasada jonë në Romë, për llogari të DSHQ-së, për pritjen e një delegacioni të rëndësishëm në Tiranë, janë blerë komplete të serviseve për tavolinë. Këto komplete afrohen me kompletet e tavolinës Mbretërore Shqiptare të vitit 1939 dhe kjo është arsyeja që këto servise u porositën në Romë, pasi është e vetmja fabrikë që mund të prodhonte këto lloj komplete shërbimi. Me shkresën nr. 779 prot. datë 05.06.2007, lidhur me blerjen e seteve për servise në tavolinë, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Romë, z. Llesh Kola, ka informuar Këshillin e Ministrave, drejtorin e Kabinetit, sekretarin e Përgjithshëm, z. Gjergj Lezhja dhe për dijeni Ministrinë e Punëve të Jashtme, ku shpjegon se: “Blerjet u kryen në dyqanin ‘Limentani’ dhe janë të firmës së mirënjohur ‘Richard Ginori 1735’. Pagesa e mallit të blerë është bërë me xhirim bankar nga llogaria e Ambasadës, me një vlerë prej 9658,64 eurosh, sipas faturës bashkëlidhur nr. 14139, datë 19.06.2007. Malli është transportuar për në Shqipëri nga Shoqëria e licencuar për transport ‘David’, me pronar, z. David Toma, me kartelën shoqëruese, dërguesi, Ambasada Romë. Më datë 8 qershor 2007, nga Ambasada jonë në Romë u ble porosia e fundit e seteve të serviseve për tavolinë, e cila dhe u transportua nga makina e Ambasadës. Shumës për transportin e parë i shtohen edhe shpenzimet e transportit të porosisë së dytë. Pra, në total, sipas shkresës të Ambasadës nr. 852, datë 14 qershor 2007, drejtuar Këshillit të Ministrave dhe për dijeni Ministrisë të Punëve të Jashtme, të gjitha shpenzimet të kryera për këtë rast janë: 9658,64 euro (porosia e parë) + 1540,80 euro porosia e dytë +2100 euro transporti i parë + 657,30 euro transporti i dytë = 13 956,74 euro. Gjithashtu, nga Përfaqësia jonë në Paris janë porositur 12 shishe me shampanjë origjinale në vlerë 2,072.84 euro, për pritjen e këtij delegacioni për DSHQ-në. Me shkresën nr. 10852, datë 16.08.2007, Ministria e Jashtme njofton DSHQ-në se, mallrat janë dorëzuar në bazë të inventarit pranë zyrave tuaja, sipas të gjitha rregullave dhe duhet bëni likuidimin në shumën totale prej 16,029.58 euro”, - thuhet në projekt-raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

8 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›