E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbrohen pas 20 vjetësh

Kosova prej tash e tutje ka të miratuar projektligjin për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta. Projektligji i miratuar ka 205 nene, të sistemuara në shtatë kapituj. Ndërkohë, po punohet edhe në matarimin e disa projektligjeve të tjera që lidhen me kulturë. Ndonëse i vonuar, ligji për herë të parë mbron autorët kosovarë. E tëra, pra, varet nga implementimi i tij. Nga Albana S. Muja më 05 gusht 2011 në ora 08:52

Mbrojta e së drejtës autoriale është shumë çështje me rëndësi, sepse ajo shpeshherë është cenuar në forma të ndryshme. Mirëpo, me miratimin e projektligjit për mbrojtjen e së drejtës autoriale të drejtave të përafërta, është ngjallur një çik shprese se megjithatë do të sigurohet sadopak një komuniteti të gjerë artistik dhe shkencor në vend.

Qeveria e Kosovës tashmë e ka miratuar Projektligjin për të Drejtat Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, i cili ka qenë pjesë e Planit Legjislativ të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për vitin 2011.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, pohon se ky ligj është i ndërlidhur edhe me raportin e progresit, dhe se ai është hartuar në mënyrë profesionale nga ekspertë vendorë e ndërkombëtarë.

“Ky Projektligj i rregullon të drejtat autoriale, të cilat u takojnë autorëve përkitazi me krijimet e tyre në fushën e artit, shkencës, letërsisë, sikundër edhe të drejtat e përafërta që shprehimisht iu takojnë interpretuesve, prodhuesve të fonogrameve, producentëve të filmit, shërbyesve medial, audiovizuel, etj.”, shprehet ministri, derisa shton se miratimi i këtij ligji do të ketë një ndikim pozitiv, meqenëse e rregullon një fushë tejet të rëndësishme dhe e stabilizon një komunitet të tërë, i cili nuk gëzon asnjë mbrojtje për më shumë se njëzet vite.

Nga ana tjetër, kompozitori, Xhevdet Gashi, miratimin e këtij ligji e sheh paksa të vonuar, edhe pse, siç thotë, “më mirë vonë, se kurrë”.
Megjithatë, Gashi shpreson se ky ligj do të rregullojë shumë gjëra.
“Mendoj që si ligj, do t’i rregullojë shumë gjëra drejtpërsëdrejti, por edhe në mënyrë indirekte. Ligji e rregullon edhe çështjen e tatimit të interpretëve, kompozitorëve etj, kështu që edhe të gjitha punët tjera pastaj do të shkojnë vetëm me kontrata”, thotë ai.

Anën të mirë të këtij ligji kompozitori Gashi e konsideron mbrojtjen e autorëve, të cilët tash e 20 vite ishin krejtësisht të pambrojtur.

Si rrjedhojë, sipas tij, mosfutja në fuqi e Ligjit për të Drejtën e Autorit ka lënë shumë pasoja.

“Ndër pasojat e deritashme hynë edhe shfrytëzimi pa kompensim, që nënkupton se gjithçka ka shkuar në dëm të autorëve. Të gjitha mediumet elektronike, të cilat e kanë përdorur krijimtarinë e tyre, nuk kanë paguar asgjë për atë krijimtari, kështu që, në realitet, ne autorët kemi qenë pala absolutisht më e dëmtuar”, thekson ai.

Gashi gjithashtu nënvizon se ai vetë e njeh këtë ligj. Sipas tij, ligji është i mirë, edhe pse problemi i vetëm tash a tutje mbetet aplikimi i tij.

“Edhe Shqipëria e ka kaherë këtë ligj, mirëpo atje në aplikimin e ligjit nuk kanë qenë shumë të suksesshëm. Megjithatë, mendoj se tash e tutje e tëra varet kryesisht prej ne autorëve, pra nga ajo sesa do të jemi vigjilentë në mbrojtjen e së drejtës. Kjo për shkak se tashmë ligji ekziston, por vetëm duhet që ne të organizohemi dhe të gjejmë mënyrën se si do të mund të aplikohet ligji. Nëse ne nuk organizohemi, atëherë edhe ky ligj është kot”, përfundon Gashi.

Ndryshe, Projektligji i miratuar ka 205 nene, të sistemuara në shtatë kapituj. Ndërkohë, përveç këtij dokumenti, aktualisht është duke u punuar mjaft intensivisht edhe në disa projektligje të tjera. Në disa për herë të parë, e në disa po bëhet vetëm plotësim ose ndryshimi i tyre. Këto projektligje do të rregullojnë çështje të rëndësishme në kulturë dhe në lëmi të ngjashme që mbulohet nga MKRS, andaj nga Ministria pritet hyrja e tyre e shpejtë në fuqi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›