“Falja e gjakut” edhe në kinematë amerikane
Filmi shqiptar “Falja e gjakut”, me regji të Joshua Marston dhe skenar të Andamion Murataj/Joshua Marston, do të shfaqet së shpejti në rrjetin amerikan të kinemave “IFC Films”. Sipas gazetës “Los Angeles Times”, filmi shqiptar mbi fenomenin e gjakmarrjes do të shfaqet për publikun amerikan gjatë muajit tetor. “Falja e gjakut”, me regji të Joshua Martston, bashkëskenarist me shqiptarin Andamion Murataj, fitoi “Ariun e Argjendtë” për skenarin në Festivalin e Filmit të Berlinit. Ky film u shfaq në festivalin e Telluride-s, në Kolorado dhe menjëherë pas premierës së tij në Amerikë do të jepet për rrjetin e kinemave “IFC film”. Pikërisht pas kësaj premiere, u reklamua edhe shfaqja e filmit në rrjetin e kinemave “IFC Films”. Filmi do të shfaqet në origjinal (shqip), me titra në anglisht. “Është një kënaqësi e jashtëzakonshme të arrish të shfaqësh një film në shqip në kinematë komerciale amerikane”, i ka deklaruar regjisori Marston gazetës kaliforniane. Aktorët e filmit janë jo-profesionistë, të përzgjedhur nga krahinat veriore shqiptare (Shkodër, Prizren, Prishtinë, Tetovë etj.) Filmi është xhiruar i tëri në fshatin Guri i Zi (rrethi i Shkodrës). “Falja e gjakut” do ta ketë premierën shqiptare në kinema Millenium në Tiranë, më 17 shtator.