E Shtunë, 31 Tetor 2026

Falja e të dënuarve, e drejtë edhe e qeverisë

19/05/2010 Projekti i qeverisë, 4 muaj kohë për shqyrtimin e një kërkese

Presidenti i Republikës nuk do të gëzojë më të drejtën absolute për të firmosur dekretet e faljes së të dënuarve. Qeveria përmes projektligjit “Për faljen”, që i ka propozuar për miratim Kuvendit, parashikon një ndërthurje kompetencash mes tij dhe ministrit të Drejtësisë, synim që, siç shpjegohet edhe në relacionin e projektit, kërkon “t’i vërë fre rrugës së abuzimit dhe t’i shërbejë mbrojtjes së interesave të shtesave nga pushteti”. Më konkretisht kërkesat për falje do të kalojnë fillimisht në sitën e ministrit të Drejtësisë, i cili, pasi shqyrton dokumentacionin e paraqitur sipas përcaktimit të draftit në fjalë, i propozon kreut të shtetit rrëzimin ose miratimin e kërkesës për falje. Nëse deri tani kërkesat kanë trokitur në tryezën e kreut të shtetit përmes shumë institucioneve, sipas këtij ligji ato do të prezantohen vetëm nga ministri i Drejtësisë. Projekti përcakton në mënyrë të hollësishme kriteret, rregullat, procedurat, përgjegjësitë dhe angazhimet ligjore të institucioneve të ndryshme shtetërore në dhënien e faljes. Krahasuar me ligjin nr. 6299, datë 27.05.1981 “Për faljen”, i ndryshuar, drafti i ri përcakton dokumente të tjera më specifike që personat kompetentë duhet të paraqesin me kërkesën për falje. Projekti përcakton kriteret për faljen e dënimit si dhe kriteret ndaluese për faljen e tij, kritere që deri dje janë përcaktuar nga numri një i shtetit. Për sa i takon rrethit të personave që kanë të drejtë të paraqesin pranë organeve kompetente kërkesën për falje, projekti i ri përcakton një rreth më të ngushtë. Sipas tij, kërkesa për faljen e dënimit bëhet personalisht nga personi i dënuar ose mbrojtësi i pajisur me prokurë. Vetëm në rastin e personave të dënuar të mitur kërkesa bëhet nga njëri prej prindërve, nga kujdestari ose nga mbrojtësi i pajisur rregullisht me prokurorë. Këto kërkesa, pasi shqyrtohen nga ministri i Drejtësisë, dërgohen nga ky i fundit te Presidenti i Republikës jo më vonë se 60 ditë nga data e depozitimit të kërkesës. Presidenti mund ta kthejë për plotësim kërkesën, nëse ai çmon se praktika e përcjellë për faljen e dënimit nuk është e plotë nga aktet. Për të marrë këtë vendim kreu i shtetit ka në dispozicion 30 ditë pas marrjes së kërkesës. Po brenda të njëjtit afat ministri i Drejtësisë bën plotësimet e nevojshme. Nëse Presidenti nuk shprehet brenda 30 ditëve nga afati, kërkesa për falje dënimi konsiderohet e rrëzuar. Kërkesa për faljen e dënimit përsëritet pas 6 muajve nga i interesuari.

Kriteret e përdorura nga Presidenti Topi për faljen e 367 të dënuarve

Në fund të muajit prill kreu i shtetit dekretoi faljen e 367 të dënuarve. Sipas sqarimit të institucionit të Presidencës, kreu i shtetit mori në konsideratë një sërë kriteresh, si: qenia i mitur në kohën e kryerjes së veprës penale, gjendja e rënduar shëndetësore dhe mosha e thyer, e cila nuk justifikonte vazhdimin e mëtejshëm të vuajtjes së dënimit, si dhe fakti se disa të dënuar, sidomos gra, ishin nëna të fëmijëve të mitur, një pjesë e të cilëve kishin mbetur pa kujdesin prindëror të asnjërit prind, gjithashtu edhe masën e dënimit të mbetur për të vuajtur si dhe duke marrë parasysh se sipas referimit të bërë nga ana e institucioneve përgjegjëse mbi edukimin dhe rehabilitimin social të të dënuarve. Pasi u bë e qartë se këta persona me sjelljen, punën dhe veprimet e tyre kishin provuar se me vuajtjen e dënimit e kishin përmbushur qëllimin për edukimin dhe rehabilitimin shoqëror, ndaj tyre u aplikua falje tërësisht ose pjesërisht e dënimit të mbetur për të vuajtur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›