E Diel, 1 Nëntor 2026

PD–PS, propozimet për zgjidhje që do të paraqesin në takime

19/05/2010 Grupi i përfaqësuesve të Departamentit të Shtetit sot në Shqipëri për krizën

Një grup të mandatuarish të Departamentit të Shtetit pritet të mbërrijnë ditën e sotme në Tiranë për të diskutuar në lidhje me krizën politike, që vazhdon prej më shumë se dhjetë muajsh. Burime nga të dyja forcat politike bëjnë të ditur se shqetësimi i SHBA-ve ka të bëjë me stabilitetin e vendit, pasi Shqipëria është vend anëtar i NATO-s. Sipas asaj ç’kanë mundur të mësojnë reporterët e gazetës “Metropol”, delegacioni ka si mision kryesor t’u bëjë të qartë përfaqësuesve të të dyja forcave politike në vend se zgjidhja duhet të jetë e menjëhershme, afatgjatë dhe e qëndrueshme, bazuar kjo në frymën e kushtetutshmërisë dhe ligjeve të vendit. E thënë më qartë, t’i jepet një ultimatum politikës shqiptare, me qëllim shmangien e politikës konfliktuale, e cila do të sillte një destabilizim të vendit. Kjo sepse Shqipëria shihet si një vend strategjik për rajonin e më gjerë.

Burime nga Partia Socialiste shprehen se kjo forcë politike do të paraqitet në takim me propozimet më të fundit, për të cilat është shprehur dhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë, pra për hapjen e materialeve zgjedhore dhe dërgimin e kërkesës për rinumërim në Komisionin e Venecies, duke hequr dorë kështu nga kërkesa direkte për hapjen e kutive dhe rinumërimin e votave. Të njëjtat burime shprehen se kjo është parë nga forca më e madhe e opozitës si lëshimi më i madh që mund t’i bëhet mazhorancës, duke e paraqitur edhe si propozim që ka marrë bekimin e OSBE-së. Të njëjtat burime shprehen se kjo do t’u jepte një tjetër frymëmarrje zhvillimeve brenda PS-së dhe do të justifikonte disi aksionin politik të ndërmarrë nga lidershipi i kësaj partie me futjen në grevë të 200 personave përpara Kryeministrisë.

Por duket se situata në krahun tjetër nuk flet shumë në favor të PS-së. Burimet në PD shprehen se nga ana e saj kjo forcë politike do të paraqesë para miqve amerikanë ofertën që u ka bërë kundërshtarëve të saj politikë për hetimin e zgjedhjeve në çdo qelizë të saj përveç rinumërimit. Hapja e kutive jashtë institucioneve kushtetuese është një parim i papranueshëm për maxhorancën, e cila si shprehje të vullnetit të saj për transparencën ka ngritjen e komisionit hetimor si dhe provën se PS-ja nuk ka marrë pjesë në asnjë nga punimet këtij komisioni. Gjithsesi, fjala në fund do t’u mbetet përfaqësuesve të Departamentit të Shtetit, të cilët do të bëjnë sugjerimet e tyre për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Angazhimi i ekspertëve

Që prej më shumë se një javë ekspertët e të dyja partive janë angazhuar në paraqitjen e propozimeve si dhe argumentimin që do të paraqesin para përfaqësuesve nga Shtetet e Bashkuara. Gjithsesi, të dyja kampet janë tepër të rezervuara për të dhënë informacione apo detaje mbi çka do të paraqesin në këto takime përfaqësuesit e tyre. Pas takimeve që organizoi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, ky është takimi tjetër më i rëndësishëm për zgjidhjen e krizës politike në vend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›