E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata: Rrapush Xhaferri, debitor 1.3 miliardë lekë

Shoqëria që administron asetet e ish- piramidës "Xhaferri" kërkoi nga gjykata dhënien e titullit ekzekutiv


Nuk dihet se kush duhet të paguajë për Rrapush Xhaferrin shumën e kërkuar

TIRANE- Duket se ndjekja e shtetit ndaj Rrapush Xhaferrit për të marrë paratë që ai u mori me mashtrim qytetarëve në vitet '96- '97 , nuk përfundoi me vdekjen e tij.


Por ky veprim duket se mund të jetë i vonuar, për shkak se ish- bosi i piramidës të njohur me emrin Fondacioni "Demokracia Popullore Xhaferri" ka ndërruar jetë prej thuajse gjatë vitesh.


Dje Gjykata e Tiranës, nëpërmjet një vendimi ekzekutimi e shpalli Rrapush Xhaferrin si debitor në masën e 1 miliardë e 227 milionë lekë të reja. Sipas vendimit të mësipërm, urdhërohej Zyra e Përmbarimit të kryeqytetit të kryente ekzekutimin e këtij urdhri të lëshuar dje nga Gjykata e Tiranës.


Administratori i Pavarur i fondacionit "Demokracia Popullore", sh.p.k, përfaqësuar në gjykatë me autorizim nga specialisti Luan Muha, kërkonte lëshimin e urdhrit për ekzekutimin e vendimit te administratorëve të datës 7 mars të vitit 2001, me numër protokolli të 1/1, mbi shpalljen debitor për shumën 1 miliard e 227 milionë leke, për Z. Rrapush Xhaferri.


Adresa e këtij të fundit është regjistruar në Tiranë, pasi familja e tij, ka banuar në një vilë në Selitë, përpara se Rrapush Xhaferi të ndërronte jetë në spitalin e burgut në kryeqytet. Për ekzekutimin e kërkesës, përfaqësuesit e shoqërisë së administruar e bazuan kërkesën e tyre në bazë të neneve 510 dhe 511 të Kodit të Procedurës Civile.


Pas paraqitjes së provave shkresore të administruara nga Gjykata pasi dëgjoi pretendimet e kërkuesit kërkesa u pranua. Sipas gjykatës kërkuesi, Administratori i Pavarur Fondacionit "Demokracia Popullore Xhaferri" sh.p.k në administrim, i është drejtuar me një kërkesë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.


Objekti i kërkesës ishte " Lëshimi i urdhrit për ekzekutimin e vendimit të administratorëve mbi shpalljen debitor të Rrapush Xhaferrit, për shumën që ai iu detyrohet kreditorëve të tij. Sipas gjykatës, nga shqyrtimi gjyqësor i provave shkresore rezultonte se administratori i pavarur e kishte shpallur debitor Xhaferrin në masën e sipërpëmendur.


Në këtë mënyrë, bazuar në ligjin e vitit 1999 " Per nxjerrjen e detyrimeve debitore dhe rikthimin e vlerave pasurore ne llogarite e personave juridike jobankare qe kane marre hua nga publiku i gjere", vendimit të administratorit, iu dha titulli ekzekutiv, duke pranuar kërkesën e Administratorit të Pavarur të fondacionit Demokracia Popullore. Më parë, gjykata ka lëshuar një urdhër të tillë, si ka lëshuar edhe për paratë e Lefter Cenajt dhe të Vefa-s që ndodhen të depozituara në Greqi.


Rrapush Xhaferri, nëpërmjet fondacionit të krijuar prej vetë atij, gjatë periudhës '96- '97, së bashku me shumë subjekte të tjerë, morën para në formë huaje nga publiku i gjerë. Në fillim të vitit 1997, këto kompani huamarrëse falimentuan ndërsa shumë njerëz humbën kursimet e tyre, çka solli trazirat që pasuan më vonë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›