Faljet e të burgosurve, shtyhet ligji
Erald Kapri
Shtyhet diskutimi i projektligjit "Për faljen", i cili përcakton kritere të reja për amnistinë presidenciale ndaj të burgosurve. Komisioni i Ligjeve vendosi dje në unanimitet që diskutimin për projektligjin ta vijojë ditën e hënë, ndryshe nga sa ishte parashikuar në kalendarin e komisionit, që duhet të fillonte diskutimin këtë të mërkurë. Kërkesa për shtyrjen e projektligjit erdhi nga opozita, ndërsa deputetët e maxhorancës e pranuan atë. Por në komision pati një debat në lidhje me një kërkesë të deputetes së Partisë Socialiste, Vasilika Hysi. Ish-drejtuesja e Komitetit të Helsinkit kërkoi para komisionit që të zhvillohet edhe një seancë dëgjimore me grupet e interesit, duke iu referuar organizatave që merren me çështjet ligjore. Sipas saj, ky projektligj duhet të ketë edhe mendimin e shoqërisë civile. Në këtë pikë ndërhyri deputeti i PD-së, Fatos Hoxha. Duke pranuar idenë, Hoxha tha më tej se nuk pranonte që në komision të vijnë organizata, të cilat sipas tij, veprojnë si politike. Duke iu referuar rastit direkt të Komitetit të Helsinkit, i cili drejtohej më parë nga deputetja Hysi, Hoxha tha se kjo organizatë, por edhe të tjera po veprojnë kundër ligjit. Sipas tij, prania e tyre në komisionin parlamentar të ligjeve vetëm sa u shton kredibilitetin disa organizatave që sipas tij, vetëm të tilla nuk janë. "I vetmi shqetësim i imi është që në organizatat joqeveritare të mos thërrasim ato organizata që veprojnë në kundërshtim me ligjin, janë bërë palë me forcat politike dhe konkretisht Organizata e Helsinkit është bërë palë në kundërshtim me të gjitha ligjet që veprojnë në vend. Aq më shumë që kësaj organizate, duke e thirrur këtu do i rrisim aksionin, çka nuk është në të mirën tonë", tha Hoxha. Por kreu i komisionit, Ilir Rusmali, ndërhyri duke thënë se organizata në fjalë drejtohet nga tjetër person. Deputeti Hoxha kundërshtoi, duke deklaruar se organizata ka kryetaren e vet në Komisionin e Ligjeve. Kjo deklaratë shkaktoi reagimin e deputetes Hysi. Ajo u kundërvu duke iu drejtuar deputetit Hoxha se, edhe ai duhet të mbrojë çështjet që vijnë nga Ministria e Mbrojtjes, duke ditur përvojën e tij të gjatë si ushtarak.
Ky debat nuk ishte i vetmi në komision. Replika jashtë mikrofonit ka pasur edhe mes deputetëve Mesila Doda e PD-së dhe Sajmir Tahirit të PS-së. Doda mbërriti pak me vonesë në punimet e komisionit dhe lëshoi akuza ndaj kreut të PS-së, Edi Rama, për trafikuan e rënduar në Tiranë, gjë që solli edhe reagimin e Tahirit, i cili iu kundërvu deputetes së PD-së.
Projektligji "Për faljen", i cili qe pjesë e debatit mes deputetëve, përcakton kriteret e reja që të burgosurit mund të përfitojnë ulje, ose falje të dënimit. Deri më sot Presidenti ka qenë autoriteti i vetëm që bënte amnistinë, ndërsa tani kreu i shtetit mund të falë ose mund të ulë dënimin për të dënuarit vetëm pasi ka bërë kërkesë Ministria e Drejtësisë. Kjo ministri shqyrton çdo kërkesë të të dënuarve dhe ia përcjell Presidentit për miratim, i cili mbetet autoriteti që mund të falë dënimin.
Seanca e djeshme në Komisionin e Ligjeve përfundoi me miratimin e dy marrëveshjeve ekonomikë, ku deputetët e të dyja palëve i miratuan ato me unanimitet për t'i kaluar në seancë plenare. Deputetët miratuan projektligjin "Për ratifikimin e marrëveshjes të tregtisë së lirë ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve (E.F.T.A.) dhe të marrëveshjeve për bujqësinë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës së Zvicrës e Principatës së Lihteinshteinit, Republikës së Shqipërisë e Mbretërisë së Norvegjisë dhe Republikës së Shqipërisë e Republikës së Islandës, si pjesë përbërëse të saj".
Debati në Komision
Ilir Rusmali: Shqyrtimi i projektligjit do të nisë të hënën.
Fatos Hoxha: Dakord me të gjitha që u thanë. I vetmi shqetësim i imi është që nga organizatat joqeveritare të mos thërrasim ato organizata që veprojnë në kundërshtim me ligjin, e janë bërë palë me forcat politike. Konkretisht Organizata e Helsinkit është bërë palë në kundërshtim me të gjitha ligjet që veprojnë në vend. Aq më shumë që këtë organizatë, duke e thirrur këtu do i rrisim aksionin, ç'ka nuk është në të mirën tonë.
Ilir Rusmali: është me drejtim të ri organizata, e ka lënë drejtimin e vjetër.
Fatos Hoxha: Kjo organizatë e ka kryetaren e vet në komision dhe mund t'ia përcjellë.
Ilir Rusmali: Jo, jo nuk është ashtu.
Fatos Hoxha: Ky është mendimi im.
Vasilika Hysi (pa mikrofon): Ju pse nuk dilni që të mbroni çështje që vijnë nga Ministria e Mbrojtjes? Keni qenë ushtarak.