KESH, 14.8 milionë euro nga shitja e energjisë në qershor
Eksporti i muajit qershor do t'i sjellë Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare rreth 14.8 milionë euro të ardhura. Pranë kësaj Korporate u zhvillua edhe tenderi i radhës për shitjen e energjisë, çka rezultoi me blerje nga një numër i madh kompanish. Një pjesë e mirë e tyre, me të cilave janë nënshkruar edhe kontratat përkatëse janë kthyer në blerëse të rregullta të energjisë. Edhe pse kemi hyrë zyrtarisht në stinën e nxehtë, situata hidrike në vend duket se është mjaft favorizuese. Nivelet në liqenet e Kaskadës së Drinit janë në kuota pothuajse maksimale, ku Fierza dje shënonte 295.85 metra, Komani 171.6 metra dhe Vau i Dejës 74 metra. Sipas drejtorit të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Muharrem Stojku, gjatë qershorit synohet që të prodhohet 22 milionë kilovat/orë në ditë dhe të eksportohet plot 12.6 milionë kilovat orë në ditë. Pjesa tjetër e energjisë është për furnizim të vendit dhe në një mesatare të përgjithshme të këtyre ditëve, konsumi rezulton në nivelin 16 milionë kilovat/orë.
Situata
• Prodhimi në vend 22 milionë kwh
• Eksporti 12.6 milionë kwh
• Konsumi në vend 16 milionë kwh
• Fierza Niveli 285.85 metra
• Komani Niveli 171.6 metra
• Vau i Dejës Niveli 74 metra