Falsifikimet, KLSH-ja bllokon qindra hektarë prona në Dajt
Dosja me abuzimet, që prej janarit në Prokurorinë e Tiranës. Nën hetim, regjistruesit e komunës dhe disa drejtues lokalë
Habjon Hasani
Tiranë - Prej fillimit të janarit, departamenti i Task Forcës ka nisur procedimin hetimor mbi një dosje voluminoze të abuzimit të pronave në Dajt, dosje që ka ardhur në fund të muajit dhjetor si një denoncim i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Burime pranë organit të akuzës bënë të ditur se Kontrolli i Lartë i Shtetit ka vendosur madje edhe paralizimin e çdo vendimi apo procedure administrative mbi këto troje, ndërsa një veprim i tillë duket paksa ”radikal” në kushtet kur është Prokuroria ajo që ndërmerr masa të tilla. Megjithatë, duket se shkeljet e kapura nga ekspertët e KLSH-së kanë qenë aq flagrante, sa kjo e fundit është detyruar të ndërmarrë një masë që i tejkalon disi kompetencat e saj. Të njëjtin mendim kanë dhe prokurorët e çështjes, të cilët nga verifikimi dhe hetimi paraprak i javëve të fundit kanë zbuluar se kjo dosje e KLSH-së fsheh një histori të rëndë abuzimi dhe falsifikimi për qindra hektarë tokë në një komunë si ajo e Dajtit, ku dhe çmimet e trojeve janë rritur ndjeshëm kohët e fundit. Nën hetim janë disa drejtues të kësaj komune dhe regjistrues vendorë, ndërsa burime nga organi i akuzës refuzuan të jepnin detaje të tjera lidhur me personat e implikuar.
Precedenti
Vetëm pak muaj më parë, KLSH-ja gjatë fazës së parë të inspektimit të saj në komunën Dajt zbuloi abuzimin me pronat të cilin e pasqyroi në raportin e saj, duke paralajmëruar investigimin e mëtejshëm të dosjeve në këtë komunë. Kontrolli i Lartë i Shtetit bëri të ditur në këtë raport se vetëm në komunën Dajt ka një sasi toke prej 105 hektarësh, që është marrë në pronësi me anë të dokumenteve të falsifikuara. Kështu, raporti i publikuar nga KLSH-ja sqaron se një sipërfaqe prej 323 490 metër/katrorë tokë e klasifikuar si “pyll”, në zonën kadastrale Linzë, Lanabregas, Priskë e Madhe dhe Babrru, është marrë nën pronësi me anë të dokumenteve të falsifikuara. Një vendim i tillë është dhënë pas kthimit në mënyrë të padrejtë, sipas KLSH-së, nga ana e Komisionit të Kthimit të Pronave Tiranë. Në komunën Dajt vlerësohet se janë 672 240 metër/katrorë tokë që janë kthyer sërish pa asnjë dokument për ish-pronarët. Ndërsa në komunën Linzë, në Spitalin Ushtarak, janë marrë disa vendime për kthim pronash për disa ish-pronarë duke krijuar mbivendosje të pronave në një sipërfaqe prej 9 100 metër katrorë.
Kontrolli
Gjatë vitit 2008, KLSH-ja ka dërguar në prokurori mbi 20 praktika vetëm nga ZRPP-ja Tiranë dhe mbi 60 praktika nga të gjitha ZRPP-të vendore. Ndërkaq, punonjësit e përmendur nga KLSH-ja janë shkarkuar nga puna përpara se KLSH-ja të ushtronte kontrollin, ndërsa në total numri i personave të larguar nga puna për shkak të shkeljeve ligjore është shumë herë më i madh. Sipas njoftimit të ZQRPP-së, KLSH-ja ka vërejtur shkelje që kanë të bëjnë me mbivendosjen e pasurive, ndërsa është ZQRPP-ja ajo që ka zbuluar këtë fenomen dhe ka propozuar draftin ligjor, i cili tashmë është ligj, për të normuar këtë proces. Aktualisht, me dhjetëra kërkesa të qytetarëve për fshirjen e mbivendosjeve janë në përpunim e sipër, ndërsa dhjetëra qytetarë të tjerë tashmë kanë marrë përgjigje. Zyra e hipotekave nënvizon se është zbuluar fenomeni i regjistrimit të akteve të marrjes së tokës në pronësi me anë të dublikatit dhe të gjitha këto regjistrime janë pezulluar, ndërsa është lëshuar urdhër nga kryeregjistruesi që të mos regjistrohet asnjë akt i marrjes së tokës në pronësi pa pasur konfirmimin nga Qarku.
25 Shkurt 2009