E Diel, 1 Nëntor 2026

Vatnikaj, ish-kreu i AKKP-së, në arrest shtëpie



Abuzimet me pronat janë bërë objekt i punës hetimore të Prokurorisë me një fluks të theksuar në dy vitet e fundit. Madje, së fundi, ish-kreu i AKKP-së, Tunxh Vatnikaj, po hetohet për konspiracion dhe mbështetje në vjedhjen e 48 hektarëve, pronë shtetërore, në Gjirin e gjeneralit në Kavajë. Ish-kryetari i Agjencisë së Pronave, Tunxh Vatnikaj, hetohet pasi ka firmosur dhe miratuar procedurën; ish-punonjësit e Agjencisë së Pronave të Tiranës hetohen për shkak se kanë pranuar dhe përpunuar aplikimin e falsifikuar, ndërsa tre topografë janë marrë në hetim pasi kanë mashtruar me procedurat. Ata kanë hartuar planvendosjen dhe dokumente të tjera, që lidhen me sipërfaqen e tokës së abuzuar, zonat kufizuese, shtrirjen dhe madhësinë e saj, kur sipas hetimeve të prokurorisë nuk kanë qenë fare në terren për të bërë verifikime, siç e kërkon procedura dhe ligji. Sipas hetimeve të kryera, janë sekuestruar dokumente që kanë të bëjnë me dosjen e aplikimit për kthimin e pronës. Zyrtarët e Hipotekës së Tiranës dhe Zyrës së Kavajës po hetohen për shkak se pas kthimit të pronës te personat, që me falsifikime kanë aplikuar në emër të familjes Shijaku, e kanë regjistruar tokën në emër të tyre, duke u bazuar mbi një procedurë dukshëm të paligjshme. Në fund të të gjitha procedurave të falsifikuara me Agjencinë e Kthimit të Pronave, pronarët fiktivë të tokës janë paraqitur në Hipotekë dhe zyrtarët e kësaj të fundit, si në Tiranë ashtu edhe në Kavajë, kanë vendosur regjistrimin e pronës. Ish-kreu i AKKP-së, Tunxh Vatnikaj, ka pasur kontakt intensiv telefonik me palët e interesuara në procesin e falsifikimit, ndërsa shpeshherë ai ka kërkuar gjatë bisedave dhe “garanci nga rangjet e larta për të vazhduar punën i qetë”. Gjithsesi, prokurorët janë të rezervuar në dhënien e detajeve të tjera lidhur me përmbajtjen e këtyre përgjimeve, megjithatë konfirmojnë se janë pikërisht këto përgjime që “i vënë vulën” implikimit të qëllimshëm të Vatnikajt në skemën e falsifikimit spektakolar që u krye me 48 hektarët në zonën e Gjirit të gjeneralit. Përpos dokumenteve antiligjore të firmosura prej tij, prokurorët kanë mundur të sigurojnë dhe përgjime ligjërisht të pranueshme, të cilat e lidhin Vatnikajn thuajse me të gjithë personazhet e tjerë të përzier në skemën e grabitjes.

25 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›