E Shtunë, 31 Tetor 2026

Falsifikimet, nën akuzë “piratët e tenderave”

 

TIRANE – Dy biznesmenë, të pandehur për falsifikim të bilanceve të taksave me qëllim kualifikimin fiktiv në tendera publikë, dërgohen në gjykatë me akuzat e “falsifikimit te dokumenteve më shumë se një herë, kryer në bashkëpunim dhe falsifikim të vulave dhe stampave”. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të prokurorisë, sipas të cilave të pandehurit e dosjes me nr.1946, janë biznesmenët Ardi Arkaxhiu dhe Ismail Stafa. Ata u arrestuan nga policia më 11 maj 2008, pasi nga hetimet rezultoi se kishin falsifikuar dokumentet tatimore të kompanive të tyre, me qëllim kualifikimin në një tender të organizuar nga Ministria e Bujqësisë. Konkretisht bëhet fjalë për vërtetimet dhe bilancet e tatim-taksave, të cilat dy të dyshuarit i kishin falsifikuar me qëllim që fiktivisht të plotësonin kushtet për t’u kualifikuar në tender. Dy biznesmenët u arrestuan nga policia me urdhër të njësisë Task-Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës, në kuadër të operacionit të koduar “Piratët e Tenderave”. Ismail Stafa, 42 vjeç, kryente me detyrën e administratorit në shoqërisë “NDERPRO” sh.p.k. me qendër në Tiranë ndërsa Ardi Arkaxhiu, 33 vjeç, ishte administrator i shoqërisë “MA-CO” sh.p.k. me qendër në Kavajë. Sipas hetimeve të prokurorisë dhe policisë, në muajin mars 2008, dy biznesmenët kanë paraqitur dokumentacionin në tenderin e Njësisë së Projektit të Menaxhimit të Burimeve Ujore, në Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit. Tenderi është zhvilluar më 18 mars 2008, me objekt “rehabilitimi i rrjetit ujitës në Rezervuarin Liz në zonën e Kavajës” me një fond limit prej 15 milionë lekësh të reja. Dy biznesmenët Ardi Arkaxhiu dhe Ismail Stafa, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, akuzohen se kanë falsifikuar dokumentet tatimore që duheshin paraqitur në komision, me qëllim që të shpalleshin fitues të tenderit, duke përmbushur kushtet fiktivisht. Sipas hetimeve të prokurorisë, dy biznesmenët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë falsifikuar vërtetime të lëshuara në emër të Degëve të Tatim Taksave Tiranë dhe Kavajë, të cilat i kanë paraqitur në tender. Hetimet kanë zbuluar se në tender është paraqitur vetëm njëri prej biznesmenëve ndërsa nga përgjimet është mësuar se më pas ata do t’i ndanin mes tyre paratë e përfituara. Me anë të dokumenteve false, të akuzuarit kanë paraqitur një xhiro vjetore disa herë më të lartë, nga xhiroja reale e kompanive të ndërtimit që drejtonin. Ata kanë arritur të kualifikohen deri në fazën e dytë të tenderit por në këtë kohë, pas informatave se disa nga konkurrentët kishin përdorur dokumente false, procedura u pezullua dhe policia filloi hetimet. Pasi u zbulua e gjithë veprimtaria e dy biznesmenëve Njësia Task-Force në Prokurorinë e Tiranës kërkoi autorizim për arrestimin e tyre dhe më pas urdhëroi policinë të ekzekutonte vendimin e togave të zeza.   tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›