Kapet me kokainë studentja e mjekësisë
Dashamir Biçaku
Arrestohet studentja me gjysmë kilogrami kokainë në çantë, gjatë tentativës për të kaluar kufirin në drejtim të Greqisë. Aurora Liço, 23 vjeçe, studente në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, ra në pranga në pikën kufitare të Kapshticës, kur me një taksi të marrë në qytetin e Korçës po tentonte kalimin në vendin fqinj. Studentja e Universitetit të Tiranës është prangosur mbrëmjen e së shtunës nga oficerët e Sektorit të Antidrogës në Policinë e Shtetit, me akuzën e trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike në bashkëpunim. Sipas policisë, Aurora Liço është ndaluar nga policia në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, në rrethin e Devollit, pas informacioneve se në çantën e saj kishte lëndë narkotike. Kokaina e cilësisë së lartë mendohet se do të trafikohej në drejtim të Greqisë me destinacion Selanikun. Lënda narkotike, sipas burimeve policore, ishte futur në çantë e ndarë në pesë pako të mbështjella me natriban. Agjentët e antidrogës kanë bërë kontroll në taksi dhe më pas në çantë dhe menjëherë sapo kanë gjetur drogën i kanë vënë prangat studentes 23-vjeçare të Universitetit të Tiranës. Ajo mësohet se ishte banuese në Korçë, madje ka marrë një taksi në këtë qytet me qëllim që të kalonte kufirin drejt Greqisë. Agjentët e Antidrogës, që kishin marrë informacion për këtë rast, mbërritën menjëherë në pikën e kalimit kufitar sapo aty policia po vuloste pasaportat e studentes dhe taksistit nga Korça. Bashkë me vajzën, agjentët shoqëruan për në policinë e Tiranës edhe taksistin 45-vjeçar, me iniciale V. T, në makinën e të cilit ndodhej studentja në momentin e arrestimit.
Trafik me Greqinë
Nga hetimet e policisë është mësuar se studentja kishte shkuar në shtëpinë e saj në Korçë, fundjavën e kaluar. Të shtunën ajo është nisur për te disa të afërm të saj në Greqi. Për këtë qëllim ajo ka marrë një taksi në qendër të qytetit të Korçës dhe menjëherë është nisur në drejtim të pikës kufitare të Kapshticës, për të kaluar më pas drejt Greqisë me destinacion Selanikun. Sipas hetimeve të zhvilluara më parë, oficerët e antidrogës së Policisë së Shtetit, kishin mësuar paraprakisht se taksisti ishte i rastësishëm në këtë situatë dhe nuk kishte dijeni për drogën që vajza mbante në çantë. Gjithsesi ai është shoqëruar në polici, bashkë me studenten për të sqaruar elementë të nevojshëm për hetimin. Oficerët e policisë e kanë lejuar studenten të kalojë doganën dhe gjithashtu i kanë vendosur edhe vulën në pasaportën me vizë 1-vjeçare shengen greke. Në kohën që ajo priste të merrte bagazhet që të kalonte traun e kufirit, dy agjentët e antidrogës i kanë kërkuar studentes t’i ndiqte për një verifikim e më pas të kthehej sërish për të udhëtuar drejt Greqisë. Sapo ka hyrë në zyrën e policisë, vajzës i është bërë e ditur se do të kryhej një kontroll në çantën e saj. Gjatë verifikimeve, në çantë është gjetur dhe fiksuar pakoja e kokainës dhe agjentët menjëherë kanë kryer arrestimin. Policia ka dyshime se edhe persona të tjerë në Shqipëri dhe në Greqi mund të jenë të përfshirë në këtë linjë trafiku. Hetuesit nuk bëjnë publikë emrat e të dyshuarve ndërsa thanë se janë në ndjekje të tyre. Kokaina e bllokuar është nisur për në laboratorin e Institutit të Policisë Shkencore, ku duhet të analizohet nga ekspertët. Studentja, pritet të dalë për vlerësim të masës së arrestit gjatë ditës së nesërme në Gjykatën e Tiranës.
Tre studentë me drogë brenda një jave
TIRANE - Rasti i djeshëm i kapjes së studentes korçare Aurora Liço, me një sasi prej 600 gramësh lëndë narkotike, është i treti brenda pak ditësh, kur studentët kapen me lëndë narkotike. Gjatë javës së kaluar, seksioni i antidrogës së Tiranës bllokoi një sasi prej rreth 700 gramësh marijuanë dy studentëve të ndryshëm nga Berati dhe Tepelena. I pari u kap beratasi Elton Alizoti, 24 vjeç, që studionte në Fakultetin Ekonomik. Policia i kapi në banesën e tij të marrë me qira pranë Qytetit “Studenti” një sasi prej 200 gramësh marijuanë, që ai e kishte marrë në Berat. Sipas policisë, studenti ishte kapur ndërsa shiste disa qese të vogla me marijuanë, të mjaftueshme për një cigare. Dy ditë pas tij, policia kapi pranë godinës nr.6, një tjetër student nga Tepelena me gjysmë kg marijuanë.
E arrestuara transportohet në Tiranë
TIRANE – Studentja nga Korça, e cila ra në pranga me akuzën e trafikut të drogës, është transportuar në drejtim të Tiranës. Shkak për këtë është bërë fakti se arrestimi dhe hetimi i këtij rasti ishte kryer nga agjentët e Shërbimit Qendror të Antidrogës në bashkëpunim me policinë e Tiranës. Në këtë mënyrë, vajza e arrestuar dhe taksisti, që besohet se nuk ka pasur dijeni, janë sjellë në Tiranë menjëherë. Ata po merren në pyetje nga hetuesit e organeve qendrore të policisë, të cilët po përpiqen të zbardhin mënyrën e hyrjes së kokainës në Shqipëri, personat e implikuar në këtë trafik, si dhe ata që prisnin të merrnin në Greqi drogën e trafikuar nga studentja.