E Shtunë, 31 Tetor 2026

Librazhd, dhe tre lëkundje të tjera tërmeti

 

LIBRAZHD - Librazhdi u trondit sërish dje nga tre lëkundje të tjera tërmetesh. Ndonëse të lehta ato kanë tronditur banorët, pasi u ndjenë në intervale të ndryshme kohore, gjatë orëve të para të ditës. Më të forta ato janë ndjerë në fshatin Kuturman në komunën Librazhd Qendër, rreth 15 kilometra larg Librazhdit, pasi sipas sizmiologjikës aty ishte dhe epiqendra e tërmetit. Kreu i komunës, Firdus Kurti pohoi dje se është ngritur një shtab, i cili do të merret me verifikimin e dëmeve që kanë shkaktuar lëkundjet e tërmetit kryesisht në fshatin Kuturman. Të dhënat e para flasin për 5 shtëpi të dëmtuara lehtë, për të cilat është mbajtur procesverbal mbi dëmet e shkaktuara. Dëmtimet kryesisht kanë qenë në plasaritje muresh, lëvizje të çative të shtëpive që janë mbi 60-vjeçare. Fshati Kuturman ndodhet rreth 15 kilometra nga qyteti i Librazhdit, i cili gjatë kësaj jave ka qenë epiqendra e një radhë tërmetesh, lëkundjet e të cilave kanë arritur deri në 5-6 ballë.
Po ashtu dhe nga ana e bashkisë së Librazhdit është ngritur një shtab emergjence, i cili është duke verifikuar dëmet që mund të jenë shkaktuar nga lëkundjet. Ndonëse nga verifikimet e para në qytet nuk është konstatuar asnjë dëm, nga ana e kryebashkiaku të Librazhdit, Kastriot Begaj pohohet se puna për verifikimin e dëmeve do të vazhdojë dhe gjatë javës në vazhdim. Sipas tij, mund të ketë banesa në disa zona të thella të bashkisë, ku ka banesa të braktisura, por që gjithsesi do të shënohen si dëme të tërmetit.                          a.k.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›