E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abuzuan me pensionet, 14 vetë nën hetim

 

ELBASAN - Nëntë pensionistë të moshës nga 60 deri në 72 vjeç po hetohen në gjendje të lirë nga sektori i antikrimit ekonomik në Elbasan, për abuzime me dokumentet. Sipas burimeve të policisë, pohohet se është verifikuar dokumentacioni i daljes në pension dhe ka rezultuar se ata kanë falsifikuar moshën, me qëllim përfitimin më shpejt të pagesës. "Rritja e moshës është bërë në mënyrë fiktive dhe me vendim të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore të Elbasanit. Si pasojë, ata kanë fituar pa të drejtë pensionin e pleqërisë, duke i shkaktuar dëm ekonomik shtetit shqiptar". Ndërkohë hetime janë duke u kryer dhe për pesë punonjës të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve, pasi ata akuzohen të kenë kryer në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Punonjësit që janë duke u hetuar janë të sektorit të përfitimit të pensioneve në këtë drejtori, ndaj tyre policia ka ngritur akuzën e shpërdorimit të detyrës së kryer në bashkëpunim. Sipas policisë, ata kanë vepruar në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në kundërshtim me përmbushjen e rregullave dhe detyrës, konkretisht të ligjit për sigurimet shoqërore dhe rregulloren për përcaktimin administrativ dhe pagës së pensioneve. Të gjithë janë marrë në pyetje dhe u lanë të lirë deri në fund të hetimeve.        a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›