E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, dhjetë në pranga me shqiptarët

 

ITALI- Një operacion antidrogë në Veri të Italisë, ka arrestuar 10 persona, të përfshirë në një rrjet të trafikut ndërkombëtar të drogës. Ndër të arrestuarit ka edhe shqiptarë, por policia italiane nuk ka bërë të ditur emra të personave të ndaluar. Mësohet se Shqipëria ishte një nga vendet e origjinës së drogës, krahas Gjermanisë, Holandës dhe Spanjës. Personat, janë arrestuar nga policia me vendim arresti nga Gjykata e Trentos, ndërsa duheshin ekzekutuar 15 të tillë. Pesë nga personat e shpallur në kërkim, gazetës italiane "Il Resto del Carlino", kanë mundur të arratisen duke i shpëtuar policisë italiane. Të arrestuarit sipas të njëjtit burim, janë me orgjinë ballkanike dhe dyshohet të jenë përfshirë në një rrjet të madh të trafikut të lëndëve narkotike dhe psikotrope. Të arrestuarit sipas burimeve që iu referohet versioni online i gazetës, kanë lidhje në Lombardi, Emilia Romanja, Liguria dhe Toskanë. Gjatë operacionit, policia trenteze, ka sekuestruar 21 mijë euro, pesë autovetura të llojeve të ndryshme etj. Nuk është bërë e ditur nëse është sekuestruar lëndë narkotike nga autoritetet gjatë këtij operacioni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›