E Diel, 1 Nëntor 2026

Gramoz, 70 plumba mbi 17-vjeçarin për t’i ndalur arratinë në maj të vitit ‘90

 

AFRIM IMAJ

“Në fillim u dëgjua një “Ndal!” i kumbushëm, pastaj disa të tilla rrjesht “Ndal!”, “Ndal!”. Mbajtëm këmbët. Na u duk sikur na u mbajt fryma. Ashtu siç ishim u hodhëm pas një guri aty pranë. Kthyem shpinën andej nga erdhi zëri urdhërues. Ndodhi ajo që i frigoheshim. Ëndrra për të ikur matanë merrte fund këtu. Vetëm pak hapa larg vijës së kufirit. Për një moment provuam të çoheshim, po ishte e pamundur. Breshëritë e para ja befën sakaq. I pari ra në tokë Sokoli. Unë vrapova për t’u futur në një gërmushë. Dëgjova “Of”-in e tij dhe breshëritë e tjera që ndezën malin. Ndjeva një cëmbim të lehtë në këmbën e majtë. Pastaj një kërcitje në gjurin tjetër. Rashë përdhe e mbylla sytë për mos të vrojtuar atë që do të ndodhte më tej. Po edhe kështu nuk mund të rrija gjatë. Në errësirën përreth shquhej një dritë e fortë. Pas saj silueta e komandantit të njësitit që ecte në drejtim të trupit të Sokolit me një prozhektor në dorë. Me sa duket e kishte shquar vendin ku ra. Mbajti këmbët aty dhe u përkul paksa mbi trupin e tij. I rrëmbeu egërsisht flokët e gjatë dhe i ktheu fytyrën nga vetja. Pastaj filloi ta godasë me këmbë sa kishte fuqi në sy, në ballë, në faqe duke shqiptuar urrejtshëm  “kriminel”, “spiun”, “zagar”. Si nxorri dufin me viktimën, ua bëri me shënjë ushtarëve që kishte në krahë për ta çuar te posta e kufirit. Çfarë ndodhi më tej nuk munda ta ndjek, se mbeta pa ndjenja. Kur u përmenda e pashë veten në dhomat e izolimit të Degës së Brendshme. Aty mora vesh se Sokolin e kishin vrarë. Vet kisha marrë dy plagë. Hataja kishte ndodhur në pak çaste, kur muzgu i mbrëmjes së 23 majit ’90 i avitej faqeve të Gramozit…”
I është kthyer e rikthyer disa herë kësaj historie rrënqethëse Besim Qosja, 37-vjeçari nga Goskova e Korçës, që e deshi fati t’i shpëtonte rastësisht vdekjes nga përballja e asaj dite me forcat e kufirit. Në kujtesën e tij gjithçka është fiksuar deri në detaje sikur të ketë ndodhur dje. Çastet fatale madje i ka ende në sy. Ishte nisur fshehtaz me shokun e fëminisë, i ndezur nga ëndrra për më shumë liri dhe kishte rënë në kurthin e vdekjes në shpatullat e Gramozit. Ngjarja do të merrte jehonë menjëherë. Njerëzit e regjimit do ta shfrytëzonin si një rast ideal për të paralajmëruar gjithkënd që do t’i futej një aventure të tillë. Të tjerët, do ta lotonin nën zë si një tragjedi makabre. Vrulli i zhvillimeve të mëpastajme do ta spostnonte disi në periferinë e memorjes kolektive dramën e asaj mbrëmje. Për 18 vjet pas kësaj, ajo do të destinohej për të mbetur brenda gardhit të shtëpive të varfëra të dy protagonistëve fatkeq. Aty plagët e plumbave pa shpirt vazhdojnë të dhëmbin. Mjafton që të trokasësh paksa…
Rrëfimi i nënës së Sokolit
Shtëpia e Sokol Likës, 17-vjeçarit të vrarë në Gramoz mbrëmjen e 23 majit ‘90, diku në skaj të fshatit Goskovë, i ngjan një banese të rrënuar që herë të duket shtëpi e herë kasolle. Në mirëseardhjen e nënë Hënës, të zonjës së shtëpisë, dallohet një lloj meraku që nuk i ka kushtet e duhura për të rehatuar mysafirët. Megjithatë avitet paksa brenda e na nxjerr në korridor karriket për të na servirur më vonë kafen e mikpritjes. Pastaj fillon të rrëfejë qetë qetë me një zë të hollë. Hera herës e ndalon bisedën e futet rishtaz në banesë, për t’u marrë me fëmijët e vegjël të djalit tjetër, që ka ndërruar jetë në një aksident automobilistik para disa kohësh. Kur bie fjala për Sokolin, plaka kërruset në shpatulla e ngashërehet në shpirt. Sakaq nxjerr një shami për të fshirë lotët dhe nis për të treguar çfarë kujton nga dita kur është ndarë për herë të fundit me të...  
“E nisa në mëngjes në punë. I mbështolla një copë bukë me djathë e ja vura nën sqetull. Ikte përditë në Vinçan. Merrte jonxhë me karrocë. Ishim keq nga gjendja e na ndihomte. Sa kishte mbushur 17 vjeç. Atë ditë nuk u kthye më. E pritëm deri vonë. Kur do flinim shkova e pyeta shokët e tij një nga një. Më thanë se nuk e kishin parë. Më ngriu gjaku. Zemra sikur më ndjente diçka të keqe. Nuk kisha as plakun në shtëpi. Kishte shkuar në Korçë. Deri në të zbardhur nuk vura gjumë në sy. Në të gdhirë, komshiu këtu, Telua, na tha se Koli ishte sëmurë. E pyeta nga se, po ai rrinte si i ngrirë. Çtë bëja. U nisa për në Korçë duke qarë. E gjej plakun me një polic atje. Çfarë kërkon?, më pyeti. Kështu kështu, i thashë unë duke i folur për Kolin. Mos u shqetëso, ma bëri dhe më kapi për krahu. Dukej i tronditur e me zor përmbahej. Si duket i kishin treguar për ngjarjen e Gramozit. Ato çaste këmbëngulte për të më nisur në shtëpi. Jo, jo, e refuzova unë. Do shkoj te Koli, ku është Koli. Ik, më tha, se është në Ersekë. Në Ersekë, aty do shkoj, ju përgjigja e vendosur. Po ata nuk më lanë. Më hipën në autobusin e linjës dhe erdha në shtëpi. Gjëma do më gjente aty. Gjëma e zezë që më mbylli derën! Sa isha ulur në kuzhinë, kur u hap porta pa trokitur. U çova me vrap në këmbë. Kur ç’të shikoj. Dy djemtë e tjerë sillnin Kolin mbështjellë në një batanije gjithë gjak. Mu errën sytë. Rashë në tokë. Nuk e di sa ndenja ashtu. Pastaj u çova prap. Si e marrë u hodha mbi trupin e tij duke qarë. Mos, nënë, ma bënin djemtë. Nuk duhet të na dëgjojnë. Çka ndodhur? Kush e vrau? I pyeta pa vetdije. “Është vrarë në Gramoz. E vranë ushtarët në kufi. Deshi të ikte matanë.” Shpjeguan djemtë nën zë duke më kujtuar të mos bëja zhurmë. Se ishte një vrasje tjetër kjo. Një vrasje nga ato që quheshin tradhti. Shteti e partia nuk të linte t’i qaje. Të ndalonte me urdhër bile. Më keq, ku të shkonte. Eh Koli nënës! Iku pa më thënë një fjalë. Mblodhëm veten e bëmë mortin. Një mort që nuk do t’ja doja as hasmit. Kështu biro…”
Rrëfimi i të vëllait, Flamurit
“Atë ditë që u vra Koli unë isha në zbor. Bënim qitje me pushkë. Si tani e kam në sy. Qëllonim në tabelat e veshura me portretet e Hitlerit, Breshnjevit, Titos. Plumbat duhej të shkonin në fytyrat e tyre. Ishte një zakon i hershëm ky. Kush qëllonte në qendër, afër syve, gojës e ballit, merrte fletënderi e medalje. Mora   goxha pikë atë ditë. Tek futesha në bunker për ushtrimin e fundit, dikush më urdhëroi të shkoja në komandë. Ashtu bëra. Aty më thanë se duhej të shkoja në shtëpi. Më përqasën diçka për fatin e Sokolit, po si nëpër mjergull. Diçka rreth të vërtetës e mësova në Korçë. Ata që më pritën ishin porositur të më nisnin në Ersekë. Do të merrja trupin e tij. Unë e di si u përmbajta. U nisa. I dërrmuar i tëri. Një mal më peshonte mbi supe. Ende në vesh më gjëmonte jehona e krismave të poligonit. Zhurma e tyre hera herës më sillte para fytyrat e zhgarravitura me plumba. I mbledhur një grusht në sediljen e  autobuzit, mendja më shkonte te Koli. Çtë kishte ndodhur me të? Aty për aty rikujtoja ato që më kishin thënë në Korçë: “Është vrarë në kufi. Deshi të ikte në Greqi nga Gramozi.” Më qartë se kaq, nuk kishte ku të vinte. E pabesueshme. Më dukej vetja si në ëndërr. Doja të ishte vërtetë e tillë. Por jo. E keqja kishte ndodhur. Kur unë merrja në shenjë fytyrën e Hitlerit, kufitarët e Gramozit qëllonin mbi tim vëlla! Tmerri vet…”
Flamur Lika, vëllai i madh i Sokolit, 17-vjeçarit të masakruar në Gramoz, këtu ndalon paksa për t’ju kthyer pjesës tjetër të kujtimeve të asaj dite makabre. Me të mbërritur në Ersekë, është takuar me Pëllumbin, vëllain tjetër dhe, të dy bashkë, kanë shkuar, sipas porosisë në Degën e Punëve të Brendshme. Përjetimet nga çastet aty kanë qenë dramatike. Gjithsesi, ai gjen forcë për ta shtjelluar ngjarjen deri në fund…
“Te porta na priti kapteri i shërbimit. Sa u sqaruam me të, na u kthye përbuzshëm. “Ku vini me duar në xhepa. Dasëm ka këtu. Është kufomë e duhet diçka me e mbajt.” E kuptuam përse e kishte fjalën dhe shkuam e morëm një batanije. U kthyem përsëri. Këtë radhë ai na shoqëroi te një qeli në fund të koridorit. Si hapi derën, na tregoi trupin e Sokolit në qoshe të saj. Hodhëm sytë aty. Dukej si një masë e errët e shkapërdyer nga të gjitha anët. Për një çast na u prenë gjunjët. Pastaj bëmë për andej. I pari zgjati hapat Pëllumbi. Nuk u përmbajt dot dhe shpërtheu në dënesë. Pas tij unë. Një psherëtimë e thellë më doli pa vetdije. Kapteri që na ndiqte sy e vesh turfulloi rrëmbyshëm “Shpejt, shpejt, se kemi punë!”. Ishte i egër e i prerë në atë që thoshte. Ju bindëm pa hezituar. Mbështollëm trupin e Sokolit me batanije dhe dolëm. Më tej nuk mbaj mend si kemi mbërritur në shtëpi…”
Rrëfimi i Ylberit, shokut të ngushtë
“Varrimi i Sokolit ishte një mort pa mort. Rasti i tij e përjashtonte kujën e lotët. Se ishte vrarë në kufi, si tradhtar. Si i tillë humbiste edhe këtë të drejtë njerëzore. Kodi i diktaturës me një gur vriste dy zogj. Terrorizonte opinionin për ta mbajtur larg akteve të tilla dhe fshihte gjurmët e vrasjeve në kufi, kur ligji tashmë i parashikonte vetëm si kundërvajtje penale. Gjithsesi, në varrimin e Sokolit u mblodhëm një grusht njerëzish. Shumëkush u gjend aty fshehtas. Përcjellja duhej bërë detyrimisht në heshtje, pa ceremoni. Diku në periferi të varrezave e kallëm pa zë e bujë. Së paku i mbeti një varr, me emrin e tij. Pak vërtetë, po një lloj privilegji për një rast të tillë. Se të vrarët më herët në Gramoz, në kufi, e kishin humbur këtë të drejtë. Kishin ikur në botën tjetër pa lën shënjë e nishan...”
Njeriu që flet është një nga shokët e ngushtë të Sokolit. Ylber Sejdarasi e quajnë dhe aktualisht bën detyrën e kryeplakut të fshatit. Lajmin për vrasjen e tij e ka mësuar në dyqanin  ku punonte dhe ka brofur menjëherë në shtëpinë ku bëhej morti. Është gjendur aty ndër të parët. Ishte momenti kur xhenazen sa e kishin sjell. Rrëfimi i Ylberit për çastet pas kësaj është tronditës e rrënqethës...
“M’u errën sytë kur pashë trupin e Sokolit. Ishte bërë shoshë nga plumbat. Mbi 70 të tillë i kishin përshkruar gjoksin, shpatullat, këmbët, qafën. Fytyra i kishte humbur poshtë një shtrese të errët që dukej si graso me një përzierje gjaku e balte. Mbi të dallohej gjurma e një këpuce ushtrake. Me sa duket ata që e kishin vrarë nuk ishin mjaftuar me breshëritë e plumbave, po e kishin qëlluar edhe me shkelm, si për të lënë vulën e krimit. Një pamje makabre. Mbaj mend nënë Hënën, që hera herës binte pa ndjenja mbi trupin e pajetë të të birit...”
vijon nesër...

Të pathënat e vrasjeve në kufi në verën e ‘90

Tradhtarë të vrarë, të plagosur e të kapur në kufi! Pranvera e 90-tës ballafaqonte regjimin me një realitet të papritur. Troditja së pari ndihej në rrethet kufitare, mandej në Tiranë. Në krye të herës raportet e Degës së Punëve të Brendshme të Ersekës për qendrën nënvizonin dyzinën e rasteve të tentativës për t’u arratisur. Këtë radhë nuk bëhej fjalë për raste sporadike, po për një fushatë të tërë. Emrat e viktimave dhe atyre që kapeshin duke kaluar kufirin, zinin radhë të tëra në këtë komunikim zyrtar.   Ajo që ndodhte, tashmë nuk mund të fshihej. Gramosi mësymej dita ditës nga dhjetëra të rinj. Ngjarjet përthyheshin në raporte kritike të shoqëruara me rekomandime për eprorët e lartë.  “Po na ikin. Ti vrasim! Ndryshe situata del jashtë kontrollit”. Në logjikën e kohës kjo do të thoshte qëndresë stoike ndaj presionit borgjezo-revizionist për të hapur Shqipërinë(!). Në gërhamat e fundit, mbretërimi komunist përpiqej t’u tregonte vendin atyre që dilnin kundra diktatit të tij. Dyndja drejt kufijve, nuk shfaqej thjeshtë si një plagë, po shumë më tepër se kaq. Shpagimi në këtë rast shfaqej si një sfidë, përmbushja e së cilës kërkonte zjarrin e armëve luftarake. Breshëritë e tyre nuk do të kursenin askënd. Madje as 15-vjeçarët që morën rrugën drejt zonës kufitare me mëndjelehtësinë e një lodre fëmijësh. Ngjarja e mbrëmjes së 23 majit ’90, në afërsi të postës së kufirit të Starjes, ku mbeti i vrarë 17-vjeçari Sokol Lika e u palgos Besim Qosja është vetëm njëra prej këtyre tragjedive. Dokumentet e rezervuara “tepër sekret” të degës së Punëve të Brendshme të Ersekës përmbajnë me dhjetëra e dhjetëra emra të vrarësh në hapësirën kohore pranverë-verë ‘90. Të inkurajuar nga lëvizja antikomuniste në Evropën Lindore, mjaft fatkeq do provonin të kalonin kufrin me ëndrrën e vetme për një jetë më të mirë, por do të mbeteshin viktima të një terrori të pashoq. 

 
Dekreti cinik i Ramiz Alisë

 Ka qenë fillimi i majit të vitit ’90, kur Presidenti komunist Ramiz Alia dekretoi ligjin për vlerësimin e krimit të arratisjes nga vepër penale kundër shtetit, në kalim të paligjshëm të kufirit. Ndryshimi parakuptonte mos përdorimin e armëve për shkelësit e kufirit. Që këtej e tutje për ta nuk do të kishte plumba, por pak muaj burg. Po kjo nuk ndodhi në asnjë rast. Dekreti cinik i Ramiz Alisë, mbeti i destinuar vetëm për konsum politik. Askush nuk e çoi te njerëzit që përgjigjeshin për zbatimin e tij. Përkundrazi, tek ta, aty në postat e kufirit shtoheshin dyzinat e kontrollorëve me thirrjet për t’i treguar vendin çdo shkelësi. Mesazhi i tyre ishte i hapur: Askush mos të mbërrinte i gjallë në tokën e huaj! Apeli për të shtrënguar radhët e vigjilecën në këtë rast, nënkuptonte rreptësi e plumba ndaj shkelësve. Vetëm në zonën kufitare të Kolonjës gjatë verës së vitit 90 janë vrarë mbi 30 të tillë. Një pjesë e tyre madje pa paralajmërim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›