E Diel, 1 Nëntor 2026

Falsifikimi i letrave për kredinë 100 milionëshe çon në pranga katër persona



Thimi Samarxhiu

LEZHË – Në kushtet kur bankat e kanë shtërnguar dorën për dhënien e kredive, shumë klientë i janë drejtuar rrjeteve kriminale të falsifikimit. Një grup i tillë është zbuluar në Lezhë, ku ka rënë në pranga edhe një ish-oficere kredish në një prej bankave të njohura. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se dje janë ndaluar katër persona, të përfshirë në një skemë falsifikimesh të dokumenteve për marrje kredish. Sipas tyre, kanë rënë në pranga punonjësja e Bankës Raiffeisen, Migena Shema, biznesmeni Haxhi Haxhia dhe shtetasit Nikoll Ndoj dhe Martin Gjikhilaj. Të gjithë këta persona kanë arritur të marrin një kredi prej 100 milionë lekësh të vjetra përmes fshehjes së të dhënave dhe paraqitjes së dokumenteve false.
Operacioni “Gjahtari i kredive”
Haxhi Haxhia është emri i biznesmenit lezhjan të armëve të gjuetisë, i cili së bashku me Migena Shemën, ish-oficere kredie në bankën “Raiffeisen”, ishin “strumbullari” i të gjitha falsifikimeve, me qëllimin e vetëm të marrjes së një kredie prej 10 milionë lekësh për ndërtimin e një godine 4-katëshe në qendër të qytetit. Bashkë më dy personat e përmendur, policia ka ndaluar dhe Martin Gjokhilajn dhe Nikoll Ndojin, të dy punonjës ndërtimi, të cilët kishin marrë kredinë në fjalë.
Haxhija, si administrator i firmës “Ulqini sh.p.k.”, u ka lëshuar vërtetime punësimi 10 personave për t’i paraqitur në bankë, por që kanë rezultuar të pasiguruar. Përmes këtyre dokumenteve ata kanë mundur të marrin 10 milionë lekë të rinj për të ndërtuar një godinë 4-katëshe në qytetin e Lezhës. Ndërsa Migena Shema, me detyrën e oficeres së kredive, duke përfituar shuma të ndryshme, ka shpërdoruar detyrën duke dhënë kredi konsumatore me anë të dokumenteve të falsifikuara, si dhe u ka dhënë kredi personave pa qenë prezent familjarët e tyre. Për këtë ajo është ndaluar për veprën penale të “mashtrimit në kredi”, ”falsifikim të dokumenteve” dhe “shpërdorim detyre” në bashkëpunim. Ndërsa tre të tjerët janë ndaluar për veprat penale “mashtrim me kredi” e “falsifikim të dokumenteve” në bashkëpunim. Policia e qytetit të Lezhës bën të ditur se janë duke vazhduar hetimet për verifikimin e mëtejshëm të personave të implikuar në dhënie dhe përfitim në mënyrë të paligjshme të kredive.
Precedenti
Ky nuk është rasti i parë i falsifikimit të dokumenteve për të përfituar në mënyrë të paligjshme kredi nga bankat, pasi në vitin 2005, dy persona arritën të merrnin nga banka një shumë prej 4.5 milionë lekësh. Ramazan Leka dhe Rexhep Zhegu, përkatësisht 49 dhe 48 vjeç, në vitin 2005 janë paraqitur në një nga bankat private në kryeqytet dhe kanë aplikuar për marrjen e një kredie relativisht të madhe. Ata kanë depozituar kërkesën për të marrë hua 45 milionë lekë të vjetër dhe më pas kanë plotësuar të gjitha dokumentet e kërkuara nga banka. Një prej kushteve për të marrë kredinë ishte lënia peng në formën e garancisë pasurore të një objekti. Dy mashtruesit kanë arritur që me anë të falsifikimit të paraqesin dokumentet sikur janë pronarë të një objekti me vlerë më të lartë sesa vetë kredia. Bazuar në këto dokumente, banka e nivelit të dytë ka miratuar kredinë dhe ata kanë tërhequr paratë, por menjëherë pas kësaj janë zhdukur. Pas tentativave të gjata për të kontaktuar me ta, banka ka përdorur zgjidhjen më ekstreme, atë të marrjes së garancisë pasurore, ashtu siç ishte parashikuar në kontratë. Në këtë moment kanë nisur edhe problemet për bankën pasi objekti i lënë peng kishte një tjetër pronar. Verifikimi i dokumenteve ka treguar se ato ishin të falsifikuara dhe në këto kushte banka ka bërë kallëzimin përkatës në polici, e cila menjëherë pas marrjes së kallëzimit ka vënë në pranga dy mashtruesit.

TË ARRESTUARIT
Haxhi Haxhia, president i “Ulqini” sh.p.k.
Martin Gjokhilaj, punonjës ndërtimi
Nikoll Ndoj, punonjës ndërtimi
Migena Shema, ish-oficere kredie në “Raiffeisen”

3 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›