Tre persona të zhdukur brenda 24 orëve
DURRËS – Tri kallëzime në polici brenda një dite për zhdukje të personave. Policia e Durrësit njofton se vetëm brenda 24 orësh ka marr 3 denoncime nga familjarë të ndryshëm për zhdukjen e të afërmeve të tyre.
Rasti i parë është shënuar në Lagjen Nr. 3 të qytetit bregdetar, ku shtetasja Dh. Ll. ka denoncuar se kushëriri i saj, 58-vjeçari L. D., i cili banonte vetëm, është larguar nga banesa e tij pa lënë asnjë njoftim.
Vetëm pak orë më pas, një nënë ka denoncuar humbjen e vajzës së saj 24-vjeçare. Shtetasja me inicialet H. Xh. i është drejtuar Komisariatit të Policisë për të deklaruar humbjen e vajzës së saj me inicialet M. Q., e cila ishte e martuar dhe jetonte në Skrapar. Sipas kallëzimit të bërë nga e ëma që prej datës 26.02.2010, kohë gjatë së cilës ajo ka qenë te prindërit e saj në Durrës, ka ndërprerë komunikimin me familjarët e saj.
Por nuk ka mbaruar me kaq, pasi vetëm pak kohë më pas, një tjetër nënë i është drejtuar policisë për të denoncuar zhdukjen e vajzës së saj, e cila është zhdukur po ashtu më datë 26 shkurt. E ëma deklaron se vajza e saj me inicialet M. M., 24 vjeçe, është larguar nga shtëpia më datë 26.02.2010 duke mos komunikuar më me të afërmit.
Ndërkohë, Policia e Durrësit, për të tria rastet shpalli në kërkim të zhdukurit dhe i kaloi materialet Prokurorisë së Durrësit për hetime të mëtejshme.
Protesta për vrasjen e shqiptarit, një emigrant bie në pranga
GREQI - Një emigrant shqiptar vihet në pranga nga policia greke me akuzën se ka qëlluar policinë me gurë dhe koktej molotovi gjatë një proteste të emigrantëve kundër vrasjes së shqiptarit Niko Toti, 25 vjeç, i cili humbi jetën pasi u qëllua nga policia më 16 shkurt 2010. Tubimi i emigrantëve u organizua në shenjë proteste për vrasjen e shqiptarit, i cili u qëllua nga policia në kohën kur forcat e rendit po përpiqeshin të arrestonin dy grabitës shqiptarë në Athinë. Identiteti i emigrantit të arrestuar nuk është bërë i ditur, ndërsa policia e akuzon atë se gjatë protestës ka qëlluar me gurë dhe bomba molotov ndaj autoriteteve. Në Greqi ndërkohë kanë dalë edhe rezultatet e autopsisë në kufomën e emigrantit të vrarë, Niko Toti, 25 vjeç. Sipas mjekëve ligjorë, ai gjeti vdekjen prej plumbave të dalë nga armët e policisë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur më datë 16 shkurt, kur oficerët e Policisë greke ishin në aksion për arrestimin e dy shqiptarëve. Shkëmbimi i zjarrit kishte për protagonistë efektivat e Policisë greke dhe dy shqiptarë të dyshuar për vjedhje bankash, të cilët po ndiqeshin për t’u arrestuar nga forcat e rendit. Gjatë ndjekjes të dyshuarit kanë arritur të largohen duke u strehuar në një furrë buke nga e cila kanë hedhur në drejtim të policisë granata dore, por edhe policia i është përgjigjur me zjarr. Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit mbetën të plagosur dy efektivë policisë, ndërsa mbeti i plagosur, por më pas vdiq në spital, një emigrant shqiptar, i cili ishte duke punuar pranë vendit ku ndodhi shkëmbimi i zjarrit.
Humb jetën nga gripi foshnja njëvjeçare
KORÇË – Humb jetën foshnja njëvjeçare nga gripi. Lajmi konfirmohet nga burime policore lokale, të cilat bëjnë të ditur se foshnja me inicialet F. S. ka gjetur vdekjen nga shkaqe natyrale. Pas hetimeve të kryera ka rezultuar se foshnja nuk kishte asnjë shenjë dhune në trup dhe nga deklarimet e vetë prindërve është mësuar se prej disa ditësh fëmija kishte pasur simptomat e gripit, ku më pas ka gjetur vdekjen pa arritur në spital.
3 Mars 2010