E Shtunë, 31 Tetor 2026

Falsifikonin kartmonedha, arrestohen 4 persona

Policia e Tiranës ka kapur një sasi të konsiderueshme parash dhe dollarësh të falsifikuar. Uniformat blu të kryeqytetit kanë vënë në pranga 4 personat, të cilët merreshin me prodhimin dhe shpërndarjen e kartmonedhave në tregun shqiptar, kryesisht në Tiranë dhe Shkodër.

Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e Policisë, Alma Katragjini informoi se shtetasit, Emilian Qose 21 vjeç, Gazmend Vulaj 21 vjeç, Tom Proshni 22 vjeç si dhe Nikoll Stërkaj 20 vjeç, janë vënë në pranga pasi akuzohen për falsifikim karmonedhash.

“Kapja dhe arrestimi i tyre u bë, pasi rezulton se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata vendosin në treg kartmonedha të falsifikuara 10 mijë lekëshe dhe 20 mijë lekëshe dhe dollarë amerikanë”, u shpreh zëdhënësja.

Pas kontrollit të ushtruar, atyre iu gjetën dhe u sekuestruan kartmonedha, printera të cilësisë së lartë, laptop, fleshe, celularë, mjete të cilat këta persona i përdornin për prodhimin e karmonedhave false.

Zëdhënësja e policisë informoi se po vijon puna hetimore për të tjerë persona, të cilët kanë lidhje me katër të arrestuarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›