E Shtunë, 31 Tetor 2026

Falsifikonin vulat e policisë, dy në pranga

Shkatërrohet një rrjet i falsifikimit të dokumenteve. 50 mijë lekë për një diplomë universiteti


TIRANË- Policia e kryeqytetit shkatërron një bazë të falsifikimit të dokumenteve dhe të prodhimit të vulave zyrtare. Dy persona persona, të cilët e kishin përqendruar aktivitetin e tyre të paligjshëm në dy zona të Tiranës janë ndaluar nga departamenti i hetimit të Krimeve ndërsa operacioni i drejtuar nga zv/drejtori i Policisë .


Sipas burimeve zyrtare të policisë, Roland Papaproko, 56 vjeç, nga Vlora, banues në Tiranë dhe Franc (Kujtim) Borova, 57 vjeç, nga Tirana, u arrestuan të martën në mbrëmje në përfundim të operacionit policor të koduar me emrin "Diploma".


Të dy ata janë ndaluar me akuzën e falsifikimit të dokumenteve dhe vulave zyrtare, ndërsa iu janë bllokuar dokumente dhe vula false. Arrestimi i dy të lartpërmendurve u shoqërua dhe me sekuestrimin e një vule të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, një vule të Ministrisë së Mbrojtjes, një vule të pikës së kalimit kufitar Kakavijë si dhe disa dokumente të falsifikuara.


"Dy të arrestuarit mbaheshin nën vëzhgim prej katër muajsh dhe kishin arritur të falsifikonin dokumente të ndryshme, në dy baza falsifikimi që zotëronin në kryeqytet, njëra në Allias dhe tjetra në një ndërtesë përballë Shkollës së Kuqe, në rrugën "Qemal Stafa, - tha për "Shekullin", një burim nga Zyra e Antikrimit Ekonomik.


Sipas të njëjtave burime një prej të arrestuarve, 57- vjeçari Kujtim Borova ishte person i dënuar më parë po për falsifikim të dokumenteve. Ndaj dy të arrestuarve Prokuroria e Tiranës, kishte filluar një procedim penal, sepse dyshoheshin për konsumim të veprave penale të "falsifikimit të dokumenteve", "falsifikimit të dokumenteve shkollorë", falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve".


Dy të arrestuarit mbaheshin nën vëzhgim prej katër muajsh dhe vetëm dje janë arrestuar ,në momentin kur po prodhonin një vulë me mbishkrimin "Ministria e Mbrojtjes- Dega e Mobilizimit" dhe po falsifikonin një dëftesë pjekurie të shkollës së mesme të përgjithshme "Partizani".


Sipas të dhënave të policisë, dyshja falsifikatore, përveç prodhimit të vulave të institucioneve të rëndësishme, arrinte të falsifikonte si dokumente të thjeshtë, ashtu dhe dokumente të rëndësisë së veçantë, si diploma të Fakultetit Ekonomik, listë notash po të këtij fakulteti si dhe leje drejtimi për automjetet.


Vlera e një dokumenti të falsifikuar kapte shumën nga 500 lekë të reja deri në 50 mijë lekë të reja, dhe të gjithë përfituesit e dokumenteve të falsifikuar, kanë mundur të sigurojnë një dokument sipas dëshirës së tyre.


Antikrimi Ekonomiko - Financiar në policinë e kryeqytetit, dyshon se aktiviteti i dyshes së arrestuar mund të jetë i shtrirë dhe në zona të tjera dhe po hetohet nëse janë të përfshirë persona të tjerë në këtë veprimtari të paligjshme.


Ndërkohe materialet hetimore në ngarkim të dy të arrestuarve të djeshëm do t'i kalojnë Prokurorisë së Tiranës për akuzën e "falsifikimit të dokumenteve", "falsifikimit të dokumenteve shkollorë", falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve".

Të arrestuarit
Roland Papaproko, 56 vjeç, nga Tirana
Franc (Kujtim) Borova, 57 vjeç, nga Tirana, i dënuar më parë për falsifikim

Materialet dhe dokumentet e falsifikuar
Një vulë të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë
Një vulë e Pikës së Kalimit Kufitar Kakavije
Një vulë e Ministrise së Mbrojtjes, Dega e Mobilizimit
Dy vula të institucioneve joqeveritare
Një Diplomë e UT-së, Fakulteti Ekonomik së bashku me listën e notave
Tre leje drejtimi të vulosura të paplotësuara që dyshohen të falsifikuara
Një sasi materiali fletë gome dhe vegla të ndryshme që përdoren për prodhimin e vulave

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›