E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata Lartë kthen për rigjykim dosjen Lamaj

Shqyrtimi i procesit nga Krimet e Rënda u shpall i pavlefshëm për shkak se krimet mbi të cilat ishte ngritur akuza nuk ishin kompetencë e saj


Kolegji Penal vendosi të hedhë poshtë dënimin me burgim të përjetshëm për Altin Lamajn


TIRANË- Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë prishi dje vendimin e "burgimit të përjetshëm" të dhënë ndaj të pandehurit Altin Lamaj dhe ktheu dosjen e tij për rigjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë në kryeqytet.


Mesditën e djeshme togat e zeza të Kolegjit Penal të kryesuar nga gjyqtari Andi Çeliku pasi dëgjuan pretendimet e palëve në proces, atë të akuzës dhe mbrojtjes, vendosen të shfuqizojnë vendimin e deklarimit fajtor të të pandehurit Lamaj dhe rikthimin e dosjes për rigjykim.


Sipas burimeve zyrtare pranë këtij institucioni, mësohet se ky vendim u morr pasi Gjykata konstatoi se Gjykata e Krimeve të Rënda dhe Apelit për Krime të Rënda nuk janë kompetencë për gjykimin e veprave penale që dyshohet se i ka kryer i pandehuri Lamaj, i dënuar deri dje në formën e prerë nga dy shkallët e gjyqësorit me "burgim të përjetshëm".


Gjithashtu, mësohet se në ditët në vazhdim pritet që përfaqësuesi ligjor i të pandehurit Lamaj, t'i drejtohet Gjykatës së Shkallës së Parë me një kërkesë për ndryshimin e masës së sigurisë dhënë ndaj tij me "arrest me burg", për shkak se kanë kaluar të gjitha afatet procedurale të paraburgimit.


Vendimet


Ka qenë fillimisht Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda e cila pasi shqyrtoi dosjen në themel vendosi të deklarojë fajtor të pandehurin Altin Lamaj për tre vrasje, duke e dënuar përfundimisht me "burgim të përjetshëm".


Ky vendim u ankimua pranë Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda e cila pasi shqyrtoi çështjen vendosi prishjen e vendimit të Shkallës së Parë dhe deklarimin e pafajshëm për vrasje, duke e dënuar përfundimisht me 7 vite burg për "armëmbajtje pa leje".


Por, për këtë vendim Prokuroria bëri rekurs pranë Gjykatës së Lartë e cila pasi shqyrtoi dosjen vendosi prishjen e vendimeve të Shkallës së Parë dhe të dytë duke rikthyer çështjen në Apel për rigjykim, pasi u konstatuan shkelje të rënda procedurale.


Më 8 shkurt 2008 Gjykata e Apelit për Krime të Rënda pasi shqyrtoi "detyrat" e lëna nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi dënimin e Altin Lamajt me "burgim të përjetshëm" duke deklaruar fajtor për tre vrasje.


Por, ky vendim u ankimua në Gjykatën e Lartë e cila dje vendosi prishjen e vendimit dhe rikthimin e dosjes për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë në kryeqytet, duke vlerësuar se kjo gjykatë është kompetente për gjykimin e akuzave që rëndojnë mbi Lamajn.


Ngjarjet
Akuzat ndaj Lamajt


Organi i akuzës pretendon se i pandehuri Lamaj ka marrë pjesë në vrasjen me paramendim të Andi Hasanit, Gazmend Zenelit, Sokol Alushit, Alban Çelës e Grigor Stefanit, si dhe plagosjen e Altin Fortuzit. Sipas akuzës, mësohet se prova e vetme që prokuroria e përdor për të provuar fajësinë e të pandehurit Lamaj është një gjurmë daktiloskopike gishti që është gjetur në makinën e braktisur të datës 23 dhjetor të vitit 1999.


Rreth orës 14:30 minuta, janë qëlluar me armë duke mbetur të vdekur në një lokal përballë ish-ambasadës kroate, Andi Hasani, Gazmend Zeneli dhe Sokol Alushi.


Po në këtë ngjarrje mbeti i plagosur Grigor Stefani. Po kështu edhe disa dëshmi që janë shpallur të pavlefshme për vrasjen e shtetasit Alban Çela e plagosjen e Altin Fortuzit më 21 qershor të vitit 2000, në zonën e ish-bllokut në kryeqytet, kanë qenë elementë të akuzës.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›