E Diel, 1 Nëntor 2026

Falsifikuan firmat e kushërinjve, i zhvatën fisit 3 milionë euro troje

Bashkëshortët në akuzë, burri arratiset, arrestohet gruaja
 
FALSFIKIMEVlorë/Donin të përfitonin trojet në mënyrë të paligjshme ndërsa falsifikuan firmat e të afërmve të tyre për të kaluar mbi emrin e tyre plot 3 milionë euro troje. Kjo është historia e dy bashkëshortëve mashtrues të cilët pasi falsifikuan firmat e pjesëtarëve të fisit dhe përfituan trojet që kushtonin miliona euro një pjesë prej tyre e kanë rishitur tek biznesmenë të ndryshëm për ndërtim pallatesh në qytetin e Vlorës. Sipas të dhënave nga policia një grua u arrestua nga policia vendore, kurse bashkëshorti i saj u shpall në kërkim për falsifikim, përvetësim dhe pastrim të produkteve të veprave penale. Burime zyrtare nga komisariati thanë se janë dashur një vit hetimesh nga Task-Forca e Prokurorisë dhe Krimi Ekonomik për të zbardhur skemën e mashtrimeve me dokumente, firma dhe vula, si dhe legalizimin në Hipotekë të pronave. Bëhet fjalë për të paktën 105 mijë metra katrorë tokë, nga të cilat rreth 15mijë metra janë shitur si leje ndërtimi për dy pallate në qytet, lagjja 24 Maji. Në pranga ra Xhulieta Anastasiadhi, 63 vjeçe, si bashkëpunëtore, kurse në kërkim u shpall bashkëshorti i saj Mihal Rrapaj, 65 vjeç, të dy banues në Vlorë.
Hetimet
Hetimet nisën në vitin 2012, kur familjarë të të dyshuarit Rrapaj, anëtarë të fisit, denoncuan se i afërmi i tyre u kishte marrë sipërfaqe të mëdha trojesh duke falsifikuar firmat e tyre, pjesëtarëve të tjerë dhe më pas të institucioneve deri në AKKP apo Zyrat e Regjistrimit të Pronave. Pasi prokuroria ka përfunduar hetimet, u konkludua se firmat e denoncuesve dhe vulat e institucioneve ishin falsifikuar dhe nëpërmjet tyre, Rrapaj ia ka shitur një pjesë të tokave në qytet firmave të ndërtimit për objekte banimi. Prokuroria ka kryer verifikime edhe në zyrat ku pretendohej se ishin lëshuar vulat dhe firmat për legalizim apo leje ndërtimi dhe rezultoi se gjithçka ishte mashtrim dhe falsifikim. Por 65-vjeçari duket se ka diktuar rrezikun e arrestimit dhe është arratisur nga banesa.
Arrestimi
Gjatë kontrollit policia ndaloi vetëm bashkëshorten me urdhër gjykate. Gjykata e Rrethit Vlorë ka dhënë masën arrest me burg për tre akuza. Mësohet se një pjesë e konsiderueshme e tokave ndodhet në komunën qendër dhe tjetra në Bunavi, rreth 90 mijë metra katrorë, madje ka përvetësuar sipërfaqe edhe të një reparti ushtarak pa dijeninë e autoriteteve dhe në mënyrë të fshehtë. Policia sqaroi se në këtë skemë nuk ka asnjë zyrtar të përfshirë dhe të gjitha vulat, firmat dhe emrat janë të falsifikuar nga të dyshuarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›