Familja Ajazi s’u trondit nga Hetuesia e Sigurimit, jo nga Fela, karikatura e Edi Ramës
Ministrja Majlinda Bregu denoncon mentalitetin vrastar që opozita po tregon kundër biznesit në Shqipëri dhe përsërit se s’mund të intimidohet nga hetuesia e stilit të vjetër që Fela bëri dje në emër të Edi Ramës
Politika e mashtrimit, spekulimit dhe gënjeshtrës s’ka të ndalur. Në kushtet e një dëshpërimi të thellë si pasojë e mungesave të alternativave politike dhe pamundësia e parashtrimit të tyre, e detyron Partinë Socialiste, të inkursionojë qëndrime të paprecedenta ndaj qeverisë “Berisha” dhe ministrave të kabinetit. Atëherë kur Shqipëria dhe politika shqiptare ka nevojë për ide dhe alternativa të rigjeneruara, PS dhe opozita në tërësi vlerësojnë si themelore kurdisjen e akuzave dhe shtrembërimin e të vërtetës për haseje të ngushta nisur nga frika prej lepuri që ka zënë Edi Ramën dhe bashkëpunëtorët e tij të 20%-shave të ndërtimit. Kësisoj, pas akuzave nga PS për lidhje të bashkëshortit dhe kunatit të saj në marrjen e koncensioneve për ndërtimin e HEC-ve ka reaguar vetë ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu.
Ajo ka deklaruar se bashkëshorti i saj nuk është i përfshirë në asnjë biznes në energjetikë ndërsa kunati i saj ka 15% aksione për ndërtimin e një HEC-i bashkë me 6 kompani të tjera. “Jam këtu për t’iu përgjigjur pyetjeve tip hetuesie të dikurshme të procesverbalit të lexuar pak më parë nga prokurorja socialiste Fela. Po, bashkëshorti im prej 15 vjetësh quhet Namik Ajazi dhe kjo nuk besoj se bën lajm përveçse ndoshta për Felën, e cila jo për faj të saj, nuk i njeh të gjitha familjet në Tiranë. Po, bashkëshorti im ka një vëlla të vetëm dhe ai quhet Hektor Ajazi, nuk kemi jetuar ndonjëherë në të njëjtën shtëpi, pasi ai ka familjen e tij që prej vitit 1992 dhe ushtron biznesin e tij që prej vitit 2002, i regjistruar në regjistrin tregtar si biznes VIP në 2005, para se unë të hyja në politikë. Jo, shoqja prokurore Fela, bashkëshorti im nuk ka, s’ka pasur dhe të paktën deri tani, nuk ka ndërmend të përfshihet në ndonjë aktivitet apo biznes në fushën e energjetikës. Jo! Kunati im Hektor Ajazi nuk është pronar i ndonjë kompanie energjetike. E vërteta është se gëzon 15% të aksioneve për ndërtimin e një HEC-i së bashku me 6 shoqëri të tjera dhe 7 partnerë të rëndësishëm kombëtarë të lidhur së bashku në një Consorcium”- u shpreh ministrja e Integrimit, Bregu.
Ajo garantoi opozitën dhe eksponentët e saj, se është e gatshme t’u përgjigjet në çdo moment që hetuesia e Edi Ramës do ngrejë pretendime të këtij lloji.
“Jam e gatshme t’ju përgjigjem përsëri shoqja prokurore, sapo ju të vërtetoni që kunati im ka përfituar në mënyrë jo ligjore nën emrin tim ndonjë kontratë koncesionare apo ka shkelur ndonjë ligj ose rregull të shtetit shqiptar”- tha ministrja.
Duke i kujtuar deputetes së Ramës, Fela se mentaliteti vrastar i politikës majtiste dhe qëndrimi i saj prej hetuesi të diktaturës, s’mund ta trembin atë dhe familjen e saj, pasi siç thekson ministrja Bregu, këtë lloj hetuesie familja Ajazi e ka provuar prej 3 brezash në kohën e diktaturës hoxhiste.
“Shoqja prokurore, pyetjet e tua dhe të forcës tënde politike me mentalitet vrastar ndaj biznesit vendas, në formatin e hetuesisë standarde të diktaturës, nuk mund të më trembin as mua, as familjen time, as të cenojnë mbiemrin e fëmijëve të mi, sepse këtë lloj hetuesie që kërkon ta bësh në fund verën e 2010, familja Ajazi e ka provuar prej 3 brezash në kohën e paraardhësve të tu politikë”- nënvizoi ministrja e Integrimit.
Ministrja Bregu vuri në dukje më tej se biznesin dhe zhvillimin e tij nuk e ndalon as ligji dhe as Kushtetuta. “As Kushtetuta dhe as ligji shqiptar nuk ndalojnë ndonjë biznesmen apo grup biznesmenësh që të investojnë për të zhvilluar një biznes, aq më tepër në energjetikë, një nga fushat më prioritare për zhvillimin e vendit. Për më tepër, me paratë e tyre dhe jo duke përfituar nga fonde shtetërore” - deklaroi më tej, Bregu.
Sqarimet e hollësishme dhe të detajuara që i vihen në dispozicion Partisë Socialiste dhe kasnecëve të saj, për çdo deklaratë mashtruese që i është përcjellë opinionit publik, tregon një fakt sa të dhimbshëm aq edhe të frikshëm. E para, sepse opozita në tërësi dhe PS-ja në veçanti po përjetojnë një nga dramat izoluese, shkaktuar kjo nga politika e mbrapshtë dhe jashtë çdo lloj sensi kreativ. E dyta ka të bëjë me kërcënimet dhe shpifjet, të atilla që kujtdo mund t’i kujtojnë tmerret e sigurimit të shtetit, atëherë kur përmes kësaj metodike merreshin në qafë mijëra jetë njerëzish dhe qindra familje.