Mazhoranca, skeptike nëse socialistët po ecin drejt zgjidhjes
Deputeti Edi Paloka theksoi dje në një dalje për mediat se PS po shkon drejt qasjes së kapërcimit të ngërçit politik, nëse deklarimet e deritanishme do të shndërrohen në linjë zyrtare në çeljes e sesionit të ri parlamentar
Mazhoranca është e bindur se me qëndrimet e fundit të Partisë Socialiste për situatën politike tregojnë se ajo po lëviz në drejtimin e duhur për zgjidhjen e saj.
Nënkryetari i grupi parlamentar demokrat Edi Paloka thotë se selia rozë e interpreton në mënyrë të drejtë rezolutën e Parlamentit Europian kur kërkon hetimin e materialeve zgjedhore dhe se kjo është qasja e duhur për të afruar palët në një zgjidhje përfundimtare, por se tejkalimi i atributeve të draftit evropian, bie ndesh me ligjet dhe kushtetutën e vendit.
“Me fillimin e sezonit të ri, duke parë edhe ato deklarata që janë bërë nga PS, pavarësisht tonit të ashpër në dukje, mendoj që ka një lloj reflektimi edhe prej tyre për rezolutën e Parlamentit Europian. Në deklaratat e tyre flitet për një fillim hetimi me materialet zgjedhore, që në fakt është edhe kërkesa e PE. Unë mendoj se është hapi i duhur për PS” tha Paloka.
Paloka komentoi më tej zërat që flasin se PS e kërkon bashkinë e Tiranës në tavolinë duke shtuar se veprimet politike të PS të bëjnë të mendosh një gjë të tillë, por se ndryshe nga herët e tjera tha ai, selia roze nuk e ka bërë drejtpërdrejtë një kërkesë të tillë. “Edhe unë po këto zëra kam dëgjuar. Janë disa fakte që të bën të besosh se këto zëra nuk janë fare pa zë. Presioni që bëhet për arsyet që nxjerr nuk më duket i argumentuar dhe kjo të bën të mendosh që kërkohet dhënia në tavolinë e bashkisë së Tiranës. Ju e keni dëgjuar që kryetari i PD e ka bërë të qarë se nuk e ka pasur një kërkesë të tillë këtë herë nga PS”- tha Paloka.
Deputeti deklaron më tej se PD e ka tashme kandidaturën e saj për Tiranen që garanton fitoren dhe ka mbështetjen e të gjitha strukturave, por pa përmendur një emër, konkret, çka bëhet me dije se kandidatura do bëhet publike në momentin e duhur.