Familja Rugova, të jetosh si të tjerët
Qytetarët e Kosovës, për herë të parë, Familjen Rugova e kanë parë së bashku në ceremoninë e varrosjes së ish-Presidentit, Ibrahim Rugova. Prej asaj kohe, kjo familje ka nisur të zhveshet nga misteret, të cilat e kanë përcjellë prej viteve ‘90, kur u formua Lidhja Demokratike të Kosovës.
Në janar të vitit 2011 bëhen pesë vjet nga ikja e Rugovës nga kjo jetë, i cili përveç bashkëshortes, la pas vetes djemtë Mendimin e Ukën, si dhe vajzën Teutën.
Gjatë kohës sa ka qenë gjallë Presidenti, Familja Rugova ka jetuar e izoluar dhe publikut nuk i është ofruar asnjë informacion për jetën e tyre.
Në vitet ‘90, Rugova me familje jetonin të izoluar si pasojë e gjendjes së okupimit, derisa pas vitit 1999, ata sërish vazhduan jetën e mbyllur shkaku i situatës së krijuar pas luftës.
“Për shkak të zhvillimeve që kanë ndodhur pas luftës, vrasjen e këshilltarëve dhe angazhimeve të mëdha që ka pasur Presidenti, është dashur që të kemi shumë kujdes”, kishte rrëfyer Ukë Rugova, në një intervistë për Express.
Uka, në krejt këtë situatë, është i vetmi që ka thyer heshtjen dhe ka larguar perden e misterit rreth jetës që bëjnë pasardhësit e Ibrahim Rugovës.
Ai është i pari që për Express kishte rrëfyer jetën e familjes para dhe pas vdekjes së Presidentit.
“Është interesant se, pa marrë parasysh sa ka qenë i zënë Presidenti, ai gjithmonë në fund të ditës e ka gjetur pak kohë për t’ia kushtuar familjes”, ka treguar Uka.
Intervistën e parë, ai e ka dhënë pak ditë para se të formonte Listën Dr. Ibrahim Rugova, me të cilën edhe lidhi koalicion me AAK’në.
Mendimi i tërhequr
Pak para se të fillonte karrierën politike, Uka është bërë baxhanak me vëllanë e tij, Mendimin. Është fejuar me Blerta Kllokoqin, motër e Blerinës, dizanjere mode.
Megjithatë, djali i madh i Ibrahim Rugovës, Mendimi, iu është shmangur tubimeve elektorale të vëllait të tij. Në ditën kur Uka e ka publikuar themelimin e Listës dr. Ibrahim Rugova, në shtëpinë e tij, Mendimi iu është shmangur aparateve dhe kamerave të gazetarëve.
Sipas Ukës, Mendimi gjatë viteve ‘90 kishte pasur dëshirë që posa të zgjohej në mëngjes, së pari të maste temperaturat dhe pastaj të bëhej gati për të shkuar në shkollë.
Uka tash është duke i vazhduar studimet për Biznes dhe Administratë në Los Angelos të Californisë, kurse Mendimi është duke diplomuar për Shkenca Politike. Ai është shumë i përkushtuar pas artit dhe fotografisë.
Privilegjet
Familja e ish-Presidentit tashmë gëzon privilegjet e përcaktuara me Ligjin për Presidentin, sipas të cilit ish-zonja e parë merr 70 përqindshin e pagës së përgjithshme të Shefit të Shtetit, e cila është 3.100 euro.
E veja e Rugovës, Fana, përpos privilegjeve ligjore merr edhe pagë mujore nga partia, që kishte themeluar burri i saj.
Vitet e para pas vdekjes së Rugovës, LDK kishte vendosur të ndajë 2.500 euro në muaj, mirëpo me miratimin e Ligjit për Presidentin, tash kjo shumë është zvogëluar në vetëm 500 euro.
Familja Rugova jeton në Lagjen Velania në Prishtinë, ku e ka përvetësuar nga partia shtëpinë rezidencë.
Po ashtu, edhe anëtarët e familjes, të cilët janë nën moshën 26 vjeçare, i gëzojnë të drejtat e përcaktuara me ligj.
Teuta, në përkrahje të Ukës
Vajza e vetme e Rugovës, Teuta, është e lindur më 29 shtator të vitit 1990, gati një vit pas formimit të LDK’së. Ajo vazhdon studimet në vitin e dytë në Universitetin Amerikan në Kosovë.
Gjatë fushatave elektorale, ajo ka marrë pjesë në fushatën e vëllaut të saj, Ukës. Pikërisht në vendlindjen e Ibrahim Rugovës, në Istog, gjatë fushatës elektorale Teuta, bashkë me disa shoqe, ka shkuar për t’i dhënë përkrahje Ukës.
E në rrugëtimin e parë për të kërkuar vota, në Nabërgjan të Pejës, Uka kishte marrë këshilla nga një plak. Ai ia kishte kujtuar atij prejardhjen.
“Djalo, ti e din se kond e ke pas babë. Duhet me pas kujdes se çka po ban, se duhet me ia ruajt nerin familjes”, e ka këshilluar Ukën Ramë Bajraktari, derisa ishin të ulur në odën e Bajraktarëve.
Këtë rast, Uka e kishte shfrytëzuar edhe për ta luajtur vallen bashkë me rugovasit, të cilët i kishin premtuar se do t’ia japin votën.
Ende nuk dihet sa vota i ka marrë në zgjedhjet e 12 dhjetorit, por pritet të jetë pjesë e grupit parlamentar të AAK’së.
I prek politika
Kohëve të fundit, Familja Rugova nuk ka qëndruar larg politikës, në kohën kur në LDK filloi gara e brendshme.
Uka vendosi të hyjë në parti nëpërmjet Degës së Velanisë. Por, hapin e ndali në gjysmë, me arsyetimin se procesi po manipulohej prej Fatmir Sejdiut, Kryetar i atëhershëm i partisë.
Javë më parë, Familja Rugova lëshoi edhe deklarata politike. Në to sqarohej pozicioni politik i saj.
“Oferta që i është bërë Ukë Rugovës nga Isa Mustafa është ofenduese dhe poshtëruese për vetë Ukën, familjen e Presidentit Rugova...”, thuhet në një nga deklaratat.
Pas hyrjes në politikë dhe koalicionit me AAK, Ukë Rugova kishte thënë se po kërkon dhe po ruan votat e LDK’së. Liderët e kësaj të fundit kanë refuzuar totalisht një koalicion me PDK’në e Hashim Thaçit, derisa AAK pritet të jetë pjesë e Qeverisë së ardhshme. Por, nuk dihet sesi do të veprojë Uka, i cili pritet të hyjë në Parlament nën flamurin e partisë së Ramush Haradinajt.
1Familja Rugova - institucion
Një njeri jashtë Familjes Rugova nuk heziton të rrëfejë ditët e kaluara në këtë familje, në cilësinë e njeriut të besueshëm të ish-Presidentit.
Ai është Adnan Merovci.
“Presidenti Rugova ka qenë shumë familjar dhe shumë i dashur. Ka patur raporte shumë sociale dhe të afërta me të gjithë anëtarët e familjes. Ai ka respektuar dhe çmuar bashkëshorten Fanën, ashtu siç është tradita shqiptare për trajtimin e zonjës së shtëpisë nga zoti i shtëpisë”, rrëfen Merovici, ish-këshilltar dhe njeri që i ka qëndruar afër Rugovës në vitet e paraluftës.
Por, a ka ndryshuar Familja Rugova?
Merovci thotë se vdekja e Rugovës ka lënë boshllëk edhe në familje.
“Familja e z. Rugova nuk ka ndryshuar, por ka ndryshuar realiteti dhe si rrjedhim logjik, ky ndryshim përcillet edhe në familjen e tij. Me fjalë të tjera, para vdekjes së Presidentit familja ka qenë pothuaj në margjina të opinionit, derisa tani pas vdekjes kemi një animitet të saj, sidomos pas kyçjes së birit të Presidentit, Ukës, në politikë”, ka thënë ai.
Merovci nuk mendon se Familja e Presidentit është politizuar, pavarësisht qëndrimeve publike politike.
“Familja e Presidentit Historik Rugova është shndërruar në një institucion moral, që duhet të na obligojë të gjithëve që, së paku, mos ta kursejmë respektin minimal”, thotë Merovci, për Express.