E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi uronkosovarët: Shumëprojekte pë 2011

PRISHTINE- Shteti i pavarur, sovran e demokratik i Kosovës është vepër e qytetarëve, është kurorëzim i përpjekjeve e flijimeve shekullore të brezave të saj vetëmohues, tha ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi në mesazhin drejtuar qytetarëve të Republikës së Kosovës me rastin e përfundimit të vitit 2010, duke uruar suksese, shëndet, punë e mirëqenie për secilin e në çdo familje të Kosovës.

Më tej, Krasniqi në mesazhin drejtuar qytetarëve thekson se “mbi këtë bazë fitoresh, më 2010 qytetarët dhe institucionet e Kosovës, e përparuam vendin tonë drejt zhvillimit e mirëqenies, drejt objektivave historike të hyrjes në familjen e madhe të Kombeve të Bashkuara dhe drejt integrimeve euroatlantike”.
“Jemi në përfundim të një viti të rëndësishëm për Kosovën. Viti 2010 vulosi ndërkombëtarisht të drejtën legjitime të Kosovës për të qenë shtet i pavarur dhe sovran. Gjatë këtij viti Kosova vazhdoi reformat në jetën institucionale, shënoi një zhvillim solid ekonomik e shoqëror dhe ngriti një infrastrukturë të tërë ligjore e fizike. Ky vit inauguroi punimet në segmentin Vërmicë-Merdarë të Autostradës së Kombit, e cila do të shërbejë edhe si një arterie e rëndësishme ndërkombëtare...”, shprehet Krasniqi.

Ai thekson se në vitin 2011, Kosova ka shumë projekte për të realizuar dhe shumë sfida për të përballuar.
“Uroj që ky vit të sjellë suksese, shëndet, punë e mirëqenie për secilin e në çdo familje të Kosovës. Urimet tona më të mira shkojnë gjithashtu edhe për gjithë prezencën ndërkombëtare në Kosovë, për ushtarët dhe oficerët e KFOR-t, për EULEX-in, me të cilët ndajmë sukseset e të arriturat tona të përbashkëta, për përfaqësuesit e Bashkimit Evropian për përfaqësuesit diplomatikë, agjencitë e OKB-së, për donatorët e mbështetësit e shumtë, investitorët e huaj etj”, u shpreh Krasniqi.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›