Borxhi i pashlyer
As në vitin 2010, tifozeria kosovare nuk pati mundësi ta shohë ndonjë skuadër apo kombëtare të madhe të huaj duke luajtur në vendin tonë përballë ndonjë ekipi apo përfaqësueses së Kosovës.
Shumë emra të ekipeve dhe kombëtareve të mëdha të huaja janë përmendur qe një kohë të gjatë se mund të zbarkojnë në Kosovë, por një gjë e tillë nuk ndodhi as në vitin 2010.
Përkundër premtimeve, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), FC Prishtina, por edhe skuadrat e tjera kosovare, nuk u treguan të zonja për ta sjellë ndonjë ekip apo kombëtare me famë në vendin tonë, duke u mbetur kështu borxhe tifozëve.
Drejtuesit e futbollit kosovar thonë se udhëheqësit e FIFA’s dhe UEFA’s, i kanë penguar që të sjellin ndonjë përfaqësuese të madhe në vendin tonë, për ta zhvilluar një ndeshje miqësore.
“Kemi mundur të sjellim ekipe apo përfaqësuese të njohura. Por, siç dihet, ne nuk jemi anëtarë të FIFA-s, e cila nuk ka lejuar të zhvillojmë ndeshje të tilla. Andaj, me këtë rast, as ne nuk kemi dashur t’u shkaktojmë probleme federatave të shteteve tjera”, deklaroi për Express, sekretari i FFK-së, Eroll Salihu, i cili beson se në vitin 2011 do ta bëjë atë që nuk ia doli ta bëjë në vitin 2010.
Edhe drejtuesit e FC Prishtinës thonë se në vitin që lamë pas kanë mundur që të sjellin në kryeqytet skuadra me emër në futbollin evropian. Por, bardhekaltrit ankohen se infrastruktura e mjerueshme i ka penguar në këtë drejtim.
“Ne kemi qenë në kontakte të vazhdueshme me disa klube, por edhe sot jemi në kontakte me klube të njohura. Kemi planifikuar të zhvillojmë ndeshje miqësore në Prishtinë, dhe kjo nuk është kurrfarë problemi për ne që ta realizojmë, sepse brenda dy viteve ne i kemi zhvilluar dymbëdhjetë ndeshje ndërkombëtare”, tha nënkryetari i FC Prishtinës, Afrim Muçiqi.
“Por, infrastruktura e mjerueshme nuk na ka pamundësuar që të sjellim ekipe të mëdha në Prishtinë”, shtoi Muçiqi, i cili është i bindur se klubi i tij, në vitin 2011 do të organizoj në kryeqendër ndeshje madhështore ndërkombëtare.
Derisa në Kosovë dështuan të sjellin ndonjë skuadër të madhe, përfaqësuesja e Kosovës dhe Prishtina kanë zhvilluar disa ndeshje miqësore jashtë vendit me klube, suedeze, gjermane dhe zvicerane.
Ndërsa në këto dhjetë vite e fundit, në Prishtinë ka zbritur Kombëtarja A dhe B e Shqipërisë, klubi turk Genclerbirligi dhe kampioni aktual i Shqipërisë Dinamo, por jo edhe skuadra të tjera, edhe pse deri më tani janë përmendur shumë emra të kubeve të mëdha që mund të zbarkojnë në Kosovës.