E Diel, 1 Nëntor 2026

Familja Vata “lë” në morg kokën e vajzës 18-vjeçare

DURRES -Monstra Shaban Norja ia preu kokën me kosë 18-vjeçares Aishe Vata. Pak metra larg vendit ku u gjet koka e viktimës, grupi hetimor gjeti mjetin prerës, me të cilin u ekzekutua adoleshentja nga fshati Xhafzotaj i rrethit të Durrësit. Por, makabriteti i kësaj ngjarjeje shkon përtej vrasjes me plumb pas koke, përtej prerjes si bagëti të një vajze të re, që priste të ulej në auditorë.

Aishe Vata u masakrua nga një mentalitet mesjetar, falë të cilit njerëzit e saj më të dashur e bënë hasha. Muhamet Vata dhe pjesëtarët e familjes së tij dje refuzuan, dhe “vranë” sërish Aishen. Ata nuk shkuan që të merrnin në morgun e Spitalit Rajonal të Durrësit kokën e 18-vjeçares. Burime zyrtare nga ky spital bëjnë me dije, se pas kryerjes së ekzaminimeve, koka e Aishe Vatës është marrë nga kushërinjtë e saj. Ka qenë djali i xhaxhait të viktimës,ai që ka marrë me procesverbal kokën e Aishes.

Oficerët e krimeve kanë firmosur urdhrin e dorëzimit të kokës familjarëve. Mësohet se mesditën e djeshme, të ndihmuar edhe nga punëtorë të Komunales, por pa ceremoni dhe pa pjesëmarrje të familjes, është bërë hapja e varrit dhe vendosja e kokës së bashku me trupin. Fqinjë të familjes Vata pohuan se babai i Aishe Vatës nuk ka pranuar të marrë kokën, dhe të kryejë një ceremoni për të. Ndërkohë, edhe gjatë ditës së djeshme, që ka përkuar me ditën e pestë pas vrasjes, njerëz të shumtë kanë shkuar për ngushëllim në familjen Vata. Familjarët, pas kapjes së autorit të krimit janë të shokuar, pasi kohë më parë ai ka qenë person me të cilin kanë pasur hyrje-dalje familjare.

Nga ana tjetër, burime pranë grupit hetimor pohojnë se koka e 18-vjeçares u gjet rreth 150 metra larg vendit ku u gjet trupi i saj. Rreth një kilometër më larg u gjend xhupi i vajzës, me të cilin kishte dalë nga shtëpia. Në xhup u gjet gjaku i viktimës dhe gjurmët e gishtave të Shaban Norjes. Sipas hetuesve të çështjes, 100 metra larg banesës ku qëndronte autori, në një qese u gjendën së bashku, këmisha e tij e bardhë, e grisur, dhe tutat e vajzës, me gjurmët e gjakut të autorit. Pas zbardhjes së ngjarjes së rëndë që tronditi opinionin publik, policia po mban nën mbikëqyrje ‘non stop’ banesën e familjes Vata. Kjo, për të shmangur ndonjë hakmarrje të mundshme.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›