Skandali i misrit, debate të ashpra në Kuvend
Tiranë-Skandali me farën e misrit shterpë është bërë objekt debatesh të ashpra në senacën e sotme në Kuvendin e Shqipërisë. Deputeti i PS-së, Taulant Balla ka kërkuar nga qeveria t’i japë zgjidhje urgjente rrënimit ekonomik të mijëra familjeve shqiptare, të shkatërruara nga paaftësia e qeverisë.
“Njerëzit që jetojnë në fshat janë shkatërruar nga një kompani shtetërore, që mban një vulë shtetërore. Kjo është një katastrofë bujqësore, për shkak të mosveprimit të organeve shtetëore”- tha Balla, duke kërkuar që qeveria të bëjë zhdëmtimin e menjëhershëm të fermerëve.
Sipas tij shifrat e deklaruara nga zyrtarët janë fiktive, pasi vetëm në 3 komuna të rrethit të Elbasanit janë më shumë se 130 ha të prekur nga ky problem, ndërkohë që mbi 1000 persona kanë bërë denoncim për prodhimin pa kokrra.
“Kushtetua detyron qeverinë për të marrë masa. Le t’i marrë paratë nga kompania dhe t’ua kthejë qytetarëve”- tha ai.
Menjëherë pas Ballës ka replikuar ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana duke sqaruar se organizmat shtetërorë kanë funksionuar më së miri dhe fara është e certifikuar. “Ne kemi bërë asgjësim farash nga shumë kompani, që në bazë të analizave dolën me fara problematike”- tha Gjana, duke shtuar se në rastin në fjalë fara është e certifikuar.
Por, sipas tij, analizat për sterilitetin i takojnë një tjetër teknologjie, që nuk mund të bëhet dot.