E Diel, 1 Nëntor 2026

Familja presidenciale uron gjithë fëmijët shqiptarë kudo ndodhen për Festën e 1 Qershorit.

1 qershor 2008

Me rastin e 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi e dy vajzat Nada dhe Etida, priti në Pallatin e Brigadave një grup nxënësish të dalluar të disa prej shkollave të kryeqytetit, të shoqëruar nga prindër dhe mësues të tyre.

Në një atmosferë festive dhe miqësore, Presidenti Topi dhe Zonja e Parë u përshëndetën nga afër me fëmijët, të cilët shprehnin emocionin dhe kënaqësinë e festës, u interesuan për mbarëvajtjen e tyre në mësime e në jetë, duke ndarë me bashkëbiseduesit më të vegjël mendime për dëshirat, ëndrrat dhe synimet e tyre për të ardhmen.

Në këtë ditë feste, Presidenti Topi përcolli për të gjithë fëmijët shqiptarë kudo ndodhen, urimet më të mira nëpërmjet një fjale përshëndetëse gjatë së cilës u shpreh:

“Të dashur fëmijë,
Të nderuar edukatorë,

Sot është një ditë shumë e shënuar, 1 Qershori, është Dita e Fëmijëve dhe askush nuk mund ta gëzojë këtë ditë më shumë se sa e gëzoni ju. Natyrisht bashkë me ju e gëzojnë edhe prindërit, që janë po aq të lumtur sa ju, e gëzojnë edukatorët dhe të gjithë mendojnë për ju. Është një ditë që simbolizon festën e fëmijëve, por e vërteta është që edhe prindërit, edhe edukatorët, edhe shoqëria, edhe institucionet e shtetit, edhe politika e kanë simbolikë 1 Qershorin, por duhet të mendojmë gjatë gjithë viti për fëmijët, sepse fëmijët janë patjetër e ardhmja e Shqipërisë. Sa më të mirë t’i kemi fëmijët ne sot, sa më shumë ato të mësojnë e të studiojnë, sa më të sjellshëm të jenë ata, aq më shumë garanci do të kemi që Shqipëria të bëhet më e mirë, më e bukur, më e begatë, më e lumtur.

Unë jam i bindur që ju sot këtu, që jeni vetëm një përfaqësi e fëmijëve të Shqipërisë, natyrisht që jeni fëmijët më të dalluar, por po kaq të dalluar ka edhe në shumë shkolla të Shqipërisë. Ka fëmijë që e kanë shumë pasion shkollën, por jo të gjithë i kanë kushtet, sepse dikush e ka shtëpinë larg nga shkolla, dikush ende nuk i ka kushtet sikurse janë këtu në Tiranë, por ne të gjithë së bashku, sidomos institucionet e shtetit do të bëjnë ç’është e mundur që fëmijët kudo që të jenë të kenë kushte të përshtatshme për shkolla, të kenë sa më shumë libra, sepse ju të dashur fëmijë duhet t’i përkushtoheni shumë dijeve. Vetëm duke qenë një njeri i ditur, dhe dija kryesore merret në bankat e shkollës, merret që në bankat e klasës së parë, aty është baza e shkollës, e dijeve, pra, vetëm duke qenë të ditur do të bëheni qytetarë të denjë të Shqipërisë, sepse Shqipëria, ju e shikoni, që çdo ditë bën progres drejt rrugës së integrimit në Evropë dhe që të jemi qytetarë të denjë të një Evrope të Bashkuar ku dhe Shqipëria shumë shpejt do të jetë pjesë e saj, duhet që patjetër njerëzit të jenë të ditur, të jenë konkurues kudo. Unë jam i bindur që ju patjetër, sikurse e keni demonstruar deri tani do të jeni fëmjë të ditur, do të dini edhe gjatë pushimeve verore edhe të argëtoheni, por të keni edhe librin afër, asnjëherë libri nuk duhet t’ju ndahet nga dora dhe nga dëshira.

Unë patjetër që do t’ju le ju radhën. Unë do të flas pak sot, do të jap mesazhin përshëndetës dhe mesazhi im është për ju në radhë të parë, për të gjithë fëmijët e Shqipërisë kudo që ata janë, për të gjithë fëmijët shqiptarë kudo që ata jetojnë, sepse jetojnë sot edhe në emigracion, edhe në diasporë, të jenë të gjithë të predispozuar që të mësojnë shumë dhe të jenë qytetarë të denjë kudo ku ata jetojnë.

Edhe njëherë Gëzuar Festën! Qoftë një ditë e lumtur kjo për ju dhe për të gjithë fëmijët shqiptarë!”

Festimet në Pallatin e Brigadave vijuan me një program të këndshëm artistik të përgatitur nga vetë fëmijët në shenjë mirënjohjeje për ftesën dhe pritjen nga Presidenti i Republikës. Në përfundim të tij, nxënësit e shkollës “Osman Myderizi” dhe “Sabaudin Gabrani” i dhuruan Kryetarit të Shtetit dhurata simbolike të përgatitura nga vetë ata. Ndërsa, Presidenti Topi në kujtim të Ditës së Fëmijëve dhe kremtimit të saj së bashku, i dhuroi fëmijëve të pranishëm librin e tij më të dashur në fëmijëri “Tregime të Moçme Shqiptare” të autorit Mitrush Kuteli dhe librin e autorit Antuan De Sent Ekzyperi “Princi i vogël”. Librat mbanin nënshkrimin e Presidentit të Republikës, si dhe urimet për Festën e 1 Qershorit dhe për suksese të mëtejshme në rrugën e dijes.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›