E Diel, 1 Nëntor 2026

Deklaratë e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, e përcjellë nëpërmjet Zëdhënëses, mbi zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare në Maqedoni.

1 qershor 2008

Presidenti i Republikës është duke ndjekur me vëmendje të veçantë zhvillimin e zgjedhjeve të sotme parlamentare në Maqedoni.

Presidenti i Republikës është i detyruar të shprehë shqetësimin e tij për situatën në terren.

Zgjedhjet e ditës së sotme janë një mundësi tjetër e shqiptarëve të Maqedonisë për të provuar se sa të vendosur janë ata të kontribuojnë për të ardhmen e demokracisë dhe stabilitetit në Maqedoni se sa të sinqertë janë ata në deklaratat e tyre parazgjedhore për t’ju ofruar shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë modelin më të mirë të tolerancës dhe të mirëkuptimit.

Dita e sotme është shumë e rëndësishme jo vetëm për shqiptarët e Maqedonisë, vetë Maqedoninë por edhe për të ardhmen e Kosovës dhe të gjithë rajonit. Roli moderator i faktorit shqiptar në rajon dhe partneriteti i tij me aleatët ndërkombëtarë nuk mund të kompromentohen nga aktet e rënda të dhunës që po shoqërojnë këto zgjedhje. Demokracia dhe euroatlantizmi shqiptar nuk kanë asgjë të përbashkët me dhunën që përdoret për të manipuluar vullnetin e lirë të zgjedhësve.

Presidenti i Republikës u bën thirrje të gjitha subjekteve politike të Maqedonisë që të distancohen, jo vetëm me fjalë dhe me deklarata, nga incidentet dhe dhuna zgjedhore.

Shqipëria distancohet prerë dhe në mënyrë të vendosur ndaj të gjithë atyre që mendojnë se nëpërmjet dhunës do të mund të legjitimojnë pushtetin e tyre.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›