Familjarët e 19- vjeçarit: Dhuna e policisë e çoi atë drejt vetëvrasjes

“Dhuna fizike dhe presioni i policisë e shtynë Drilonin drejt vetëflijimit. Ne do t’i shkojmë deri në fund zbardhjes së ngjarjes”. Kështu deklarojnë familjarët e 19- vjetarit Drilon Dema, të vetëvrarë dy orë pasi ka dalë nga Komisariati i Bulqizës ku është mbajtur pas një denoncimi për vjedhjen e dy pulave. Familjarët ngrenë akuza ndaj uniformave blu.
“Mes këmbëve djali është nxirë dhe ne dyshojmë se është goditur nga dikush. Unë tentova t’ua tregoj këtë fakt gazetarëve që erdhën në ceremoninë mortore, por të afërmit nuk më lejuan”, thotë e ngashëryer në lot e ëma e të ndjerit, Vjollca Dema.
Ajo pohon se i biri nuk është vjedhësi i atyre dy pulave të komshiut.
“Para tri ditësh e thirrën në polici se një komshiu ynë e akuzonte për vjedhjen e pulave. Ka qëndruar shumë orë dhe më tha se kishte dhënë një dëshmi të gjatë. Më tha se ata të policisë kishin plotësuar të paktën katër fletë me fjalët e djalit. Kur u kthye herën e dytë rreth orës dy e gjysmë pasdite, Driloni doli nga shtëpia. Ndezi një cigare dhe më tha se po dilte të takonte shokët e tij. Pa kaluar gjysmë ore, fëmija i një komshiu na thotë se Driloni kishte varur veten te shkolla”, tregon Vjollca.
Ndërsa e motra ngre një alibi tjetër, teksa pohon se: “E kanë mbajtur gjithë ditën në komisariat. Nuk e di çfarë i kanë bërë atje, e kanë përdhunuar a e kanë akuzuar, nuk e di. E kanë mbajtur 24 orë dhe të nesërmen e kanë kërkuar prapë. Kur është kthyer, është varur”, akuzon ajo, teksa shprehet për gazetën Panorama.
Të afërmit tregojnë se të enjten në mëngjes Driloni ka telefonuar xhaxhain duke qarë se e kishin thirrur sërish në polici.
“Driloni ishte djalë i mirë, pa asnjë problem, asnjë precedent më parë. I kanë bërë presion psikologjik, pa praninë e një psikologu, pa praninë e një avokati për moshën që ai kishte. Do ta kërkojmë deri në një të mësojmë se çfarë ka ndodhur dhe të mbajnë përgjegjësi shkaktarët”, ka deklaruar një kushëri i Demës. /Indeksonline/